Home LAJME Hoxhaj: Askush të mos ketë frikë nga Forcat e Armatosura

Hoxhaj: Askush të mos ketë frikë nga Forcat e Armatosura

foto (1)Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se askush nuk duhet të frikësohet nga Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK). Ai ka thënë se këto forca do të themelohen në përputhje me përbërjen etnike dhe se do t’i mbrojnë interesat e të gjithë qytetarëve.

“Kosova është një vend sovran dhe në gjashtë vjetët e fundit ne kemi bërë shumë reforma me të cilat fqinjëve u kemi treguar se jemi të interesuar për normalizimin e raporteve me të gjitha vendet e rajonit. Ky është edhe shkaku pse kemi filluar dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë. Besoj se ky vendim i Qeverisë serbe ka të bëjë më shumë me fushatën elektorale në Serbi sesa me realitetin dhe me veprimet e një qeverie serioze. Në gjashtë vjetët e fundit prej shpalljes së pavarësisë ne kemi dëshmuar se jemi të interesuar për paqe dhe stabilitet në rajon. Forcat e Armatosura të Kosovës do të krijohen në përputhje me Kushtetutën tonë dhe me qëndrimet e partnerëve tanë. Ndaj nuk duhet të ketë shqetësime nga askush për krijimin e kësaj force”, ka thënë Hoxhaj në një intervistë për “Deutsche Welle”.

I pyetur se, pala serbe është e shqetësuar për shkak të veprimit të Forcave të Armatosura të Kosovës në veri në pjesët e banuara me shumicë serbe, dhe nëse do të vendoset kjo Armatë edhe në veri apo pritet ndonjë marrëveshje e veçantë, Hoxhaj ka thënë se këtu bëhet fjalë për forca ushtarake, të cilat do t’u nënshtrohen urdhrave të organeve civile dhe demokratike të shtetit.

“Ndaj askush nuk duhet të ketë frikë për rolin dhe funksionin e tyre. Serbët e Kosovës e dinë se këto forca do të themelohen në përputhje me përbërjen etnike dhe se do t’i mbrojnë interesat e të gjithë qytetarëve. Ndaj kjo çështje nuk duhet të shndërrohet në një çështje të fushatës elektorale në Serbi. Partitë dhe qeveria e atjeshme duhet të përqendrohen te zgjidhja e problemeve të veta dhe jo te çështjet në vendet e tjera fqinje”, ka deklaruar ministri Hoxhaj.

Previous articleShtyhet seanca ndaj Astrit Haraqisë, Valton Beqirit e Armond Morinës
Next articleBE: Krimeja nuk mund të krahasohet me Kosovën