Home LAJME Hoxhaj: Kosova me viza të reja, hap drejt BE-së

Hoxhaj: Kosova me viza të reja, hap drejt BE-së

Në kuadër të përpjekjeve për të ofruar shërbime sa më të sigurta konsullore për shtetasit e huaj, Republika e Kosovës prej 15 prillit të këtij viti do të lëshojë viza për qytetarët e huaj me afishe të re.

Viza e re e Kosovës me elemente të sigurisë së lartë i është prezantuar të hënën ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Sipas ministrit Hoxhaj, afishja e re e vizës së Republikës së Kosovës, paraqet një standard të ri dhe shumë të lartë dhe si e tillë kjo ngjarje duhet të kuptohet në dy nivele.

“Së pari, kjo vizë e re i plotëson të gjitha kriteret e zonës Schengen dhe do t’i lëshohet çdo shtetasi të huaj për të hyrë në Republikën e Kosovës nga 15 prilli i këtij viti”, ka deklaruar ministri Hoxhaj.

Ai ka theksuar se përdorimi i afishes së re të vizës kosovare, përveç tjerash është edhe përmbushje e kritereve për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.

“Së dyti, kjo vizë e re i ndihmon Kosovës që të përmbush një obligim të rëndësishëm në procesin e liberalizmit të vizave. Unë jam më se i sigurt se në vitin 2014 do të merret një vendim pozitiv me qëllim që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza”, është shprehur ministri Hoxhaj.

Sistemi i aplikimit për vizë nëpër misionet konsullore të Republikës së Kosovës, ka filluar më 1 korrik të vitit 2013. Për hyrje në Kosovë me të duhet të pajisen qytetarët e 88 shteteve të botës.

Previous articleZyrtare: Guarin tek Inter deri më 2017
Next articleAdelina Berisha sqaron fshirjen e klipit nga youtube