Barcelona ka regjistruar humbjen e katër sezonale në La Liga duke pësuar me rezultat 1-0 nga Valladolidi në Estadio Municipal Jose Zorrilla.
Nuk ishte një paraqitje e mirë e katalunasve në fraksionin e parë. Ata patën posedimin, mirëpo nuk arritën të krijojnë thuajse asgjë në fazën ofensive.
Përkundrazi, vendasit u treguan të rrezikshëm dhe arritën të shënojnë një gol. Fausto Rossi shfrytëzoi një top në zonë dhe arriti ta mposhtë portierin Valdes (17’).
Në gjysmën e dytë, Tata Martino luajti me katër sulmues – Messi, Neymar, Pedro e Sanchez, mirëpo ata nuk i hynë në punë, pasi nuk arritën ta thyejnë mbrojtjen vendase. (Më vonë strategu argjentinas e angazhoi Tellon në vend të Neymar).
Ishte ky një hap i gabuar i Barcelonës që dështoi ta kalonte Real Madridin në tabelë.
Tash, Blaugranët kanë një pikë më pak se Los Blancos që akoma nuk e kanë zhvilluar ndeshjen e kësaj jave (kundër Levantes).
Për më shumë, ata mund të zhvendosen në pozitën e tretë, nëse Atletico Madridi e mposht Celta Vigon.