Ministria e Mbrojtjes së Rusisë njoftoi sot se një armëpushim 32-orësh me Ukrainën ka hyrë në fuqi nga ora 16:00 me kohën e Moskës.
Armëpushimi u shpall të enjten nga presidenti rus Vladimir Putin, i cili urdhëroi komandën ushtarake të përgatitet për zbatimin e tij.
Putin paralajmëroi se nëse Ukraina ndërmerr ndonjë provokim, Moska do të përgjigjet.
Disa orë para hyrjes në fuqi të armëpushimit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se Kievi do t’i bashkohej nismës dhe do të vepronte “në mënyrë reciproke”.
“Ukraina do të respektojë regjimin e heshtjes dhe do të veprojë në mënyrë strikte të njëjtë. Mungesa e sulmeve ruse në ajër, në tokë dhe në det do të nënkuptojë mungesën e përgjigjeve tona”, tha ai në Telegram.
