Irani kërcënoi të dielën se do të përballet me ShBA-në lidhur me bllokadën detare, ndërsa një këshilltar i lartë ushtarak i liderit suprem iranian paralajmëroi se Gjiri i Omanit mund të shndërrohet në një “varrezë” për anijet amerikane nëse tensionet vazhdojnë të përshkallëzohen.
“Këshilla ime ushtarake për ShBA-në është të tërhiqet përpara se Gjiri i Omanit të kthehet në varreza për anijet tuaja. Përndryshe, sipas kuptimit tonë, një bllokadë detare është akt lufte dhe përgjigjja ndaj saj është e drejtë natyrore”, tha gjeneralmajor Mohsen Rezaei, anëtar i Këshillit të Përcaktimit të Interesit të Shtetit në Iran, në deklaratat e transmetuara të dielën nga televizioni shtetëror iranian.
Rezaei shtoi se përmbajtja e Iranit nuk duhet të interpretohet si pranim i presionit apo kërcënimeve.
“Nëse kemi treguar durim deri tani, kjo nuk do të thotë se e kemi pranuar atë”, tha ai.
Ai gjithashtu vuri në pikëpyetje arsyen e pranisë së vazhdueshme ushtarake amerikane në Gjirin Persik, duke argumentuar se Uashingtoni nuk ka më justifikimet që dikur përdorte për të ruajtur rolin e tij në rajon.
“Amerika vjen këtu dhe sjell anijet e saj luftarake. Kush është armiku i saj? Dikur thoshin se kishin ardhur për t’u përballur me Bashkimin Sovjetik. Bashkimi Sovjetik nuk ekziston më”, tha ai.
