Home LAJME Jahjaga: Kalimi i Gjykatës Speciale në OKB, rrezik i madh për Kosovën

Jahjaga: Kalimi i Gjykatës Speciale në OKB, rrezik i madh për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka takuar, sot, grupet parlamentare të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, për tu kërkuar atyre të përmbushin obligimin ndërkombëtarë që, siç ka thënë ajo, është obligim që Kosova e ka marrë si shtet.

“Takimet që i pata me të gjitha grupet parlamentare të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, ishte që të përmbush obligimin tim kushtetues dhe ligjor që të jenë faktor i unitetit institucional, për ti njoftuar të gjithë për procesin në të cilin jemi duke kaluar deri më tash sa i përket përmbushjes së një obligimi ndërkombëtar që ne e kemi marrë si shtet”, ka thënë Jahjaga.

Presidentja Jahjaga i ka theksuar dy alternativat që Kosova i ka si shtet, lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale.

Sipas saj, themelimi i kësaj gjykate është alternative më e mirë për Kosovën si shtet dhe kjo nuk e vendos në pikëpyetje luftën e UÇK-së.

“Unë e ritheksoj se kjo gjykatë nuk e vendos në pikëpyetje luftën e UÇK-së, por kjo ka të bëjë me individë të caktuar dhe kemi thënë se ne si shtet jemi të përcaktuar për drejtësinë e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ajo.

Jahjaga ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që mos të ndërmarrin alternative të rrezikshme, si ajo në kalimin e Këshillit të Sigurimit.

“Alternative për të kaluar në Këshillin e sigurimit është e rrezikshme, besoj se përfaqësuesit e institucioneve të vendit që janë deputetët e Kuvendit, duhet të gjejnë kurajon që të mos shkojnë asaj rruge, por duhet ta përmbushin atë obligim ndërkombëtarë që ne e kemi marrë si shtet”, është shprehur Jahjaga, pas takimit me partitë opozitare.

Previous articleVeseli takon një delegacion parlamentar nga Shqipëria
Next articleAmbasadori norvegjez JanBraathu: “Shqipëria dhe Kosova – dy vëllezër që jetojnë në shtëpi të ndara”