Trupat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, bazuar në mandatin që kanë, janë përgjegjëse për ruajtjen e kufirit të Kosovës me Serbinë.
Derisa vija kufitare ndërmjet Kosovës me Maqedoninë e Shqipërinë ka përfunduar së shënjuari, ajo me Malin e Zi ende nuk është përmbyllur.
Ndërkohë, çështja e demarkacionit me Serbinë ende nuk është hapur. Pikërisht këtë po e kërkojnë banorët e zonës kufitare me Serbinë, në komunën e Kamenicës.
Ndër më të prekurit janë banorët e fshatit Karaçevë të kësaj komune. Disa herë ata kanë raportuar se janë nën kërcënimin e vazhdueshëm të xhandarmërisë serbe e cila, sipas tyre, ka lëvizuar edhe pikat kufitare duke hyrë më në brendësi të territorit kosovar.
Lejtnant kolonel Guenter Bohn, shef për marrëdhënie me media, në KFOR, i pati thënë gazetës Tribuna kohë më parë se trupat e NATO-s në Kosovë, kanë takime të rregullta me forcat ushtarake të Serbisë. /RadioRINIA/