Njësia rajonale për hetimin e krimeve në Prishtinë, në kuadër të punës së tyre për parandalimin e krimit, si dhe dokumentimin e veprimtarisë kriminale të autorëve të veprave penale të vrasjes si dhe të mbajtjes në pronësi, në kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve, sot kanë ndërmarrë një operacion të gjerë bastisjeje në fshatin Mazgit, komuna e Obiliqit.
Ky operacion policor ka përfshirë bastisjen e gjashtë lokacioneve të ndryshme në atë zonë me ç’rast policia ka arritur të gjejë dhe konfiskojë një pushkë automatike, AK47, një pushkë gjuetie, prodhim rus, tri revole të tipit C – Zastava të kalibrave të ndryshëm, pesë karikatorë të armëve të ndryshme, këllëf për revole si dhe gjashtëdhjetetetë copë municion të kalibrave të ndryshëm, etj.
“Aktualisht hetuesit policorë janë duke punuar për të sqaruar rrethanat eventuale të ndërlidhjes së mundshme të këtyre armëve veçanërisht me një rast të vrasjes së ndodhur kohë më parë në rajonin e Prishtinës”, njofton PK.
Ndërkohë që pas gjetjes së këtyre armëve dhe municioneve, policia ka shoqëruar në stacionin policor tre persona të dyshuar, ata pas intervistimit si dhe përfundimit të proceduarve të nevojshme të hetimit policor, me rekomandimin e prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.
Njësitet Policore të rajonit të Prishtinës, në kuadër të veprimtarisë për përmbushjen e misionit për garantimin e rendit e të sigurisë publike, do të jenë vazhdimisht të angazhuara për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në tërësi dhe ndër objektivat parësore do të jetë, dokumentimi i veprave kriminale si dhe vënia para drejtësisë e personave të implikuar në aktivitete kriminale.