Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, zhvilloi një takim me Ambasadoren e Republikës së Finlandës në Kosovë, Eevamari Laaksonen, ku u riafirmua mbështetja e Finlandës për zhvillimin demokratik dhe perspektivën evropiane të Kosovë.

Sipas njoftimit zyrtar, takimi u përqendrua në thellimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Kosovës dhe Finlandës, me theks të veçantë në forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e reformave.

Gjatë bisedës u vlerësua edhe roli i diasporës kosovare në Finlandë, e cila numëron rreth 20 mijë bashkatdhetarë, si një urë e rëndësishme lidhëse ndërmjet dy vendeve.

Palët diskutuan gjithashtu mundësinë e nisjes së procedurave për njohjen e ndërsjellë të patentë-shoferëve, çështje që do të lehtësonte lëvizjen dhe integrimin e qytetarëve në të dy shtetet.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për forcimin e partneritetit me Finlandën”, thuhet në njoftim.