Federata e Futbollit të Serbisë gjatë ditës së enjte ka kërkuar nga FIFA që të anulojë vendimin për zhvillimin e takimeve miqësore të Kosovës, me arsyen se përfaqësuesja jonë nuk i ka respektuar modalitetet. Në anën tjetër, pala kosovare është shumë e qetë.
Federata e Futbollit të Kosovës ka tri arsye të forta për të dëshmuar që i ka respektuar të gjitha kriteret në miqësoren historike ndaj Haitit. Sekretari Eroll Salihu, beson që Kosova do të fitojë edhe betejën e radhës ndaj Serbisë.Duke aluduar se Kosova i ka thyer rregullat, Federata e Futbollit të Serbisë ka lëshuar një njoftim për shtyp ku ka kërkuar nga FIFA që ta anulojë vendimin për lejimin e miqësoreve ndërkombëtare për Kosovën.
“Ne sigurisht që kemi prova se lojtarët vendës kanë mbajtur në fanellë emblemën e Federatës së Futbollit të Kosovës. Kjo normalisht që është e papritur për ne, duke marrë parasysh se drejtuesit e ndeshjes është dashur ta vërejnë këtë, në bazë të vendimit të marrë nga Komisioni për Çështje Urgjente të FIFA-s”, thuhet në njoftim.