Për herë të katërt të dielën që kaloi, në qytetin Kloten të kantonit të Cyrihut u mbajt festa Interkulturore, e quajtur “Festa e takimeve” në të cilën me traditat e tyre ushqimore u prezantuan trembëdhjetë komunitete.
Kjo festë tradicionalisht përcillet dhe pasurohet edhe me muzikë të ndonjërit nga vendet pjesëmarrëse. Sivjet ishte Kosova në qendër të vëmendjes. Shoqata kulturore artistike “Vatra” nga Bülachu, seksioni i valleve e pasuroi këtë pasdite me disa valle shqipe dhe bëri denjësisht prezantimin e vlerave të mirëfillta të folklorit dhe të veshjeve popullore shqiptare.
Kjo festë në të cilën ishte e ftuar e gjithë popullata e Klotenit e më gjerë, ishte e organizuar nga Komuna e qytetit në bashkëpunim me Kishën e Reformuar dhe shoqatën “Hegnerhof”.
Të pranishmit e shumtë i përshëndeti prifti i kishës së reformuar, Stephen Pfeninger Scheit, në lokalet e së cilës u mbajt kjo festë. Ai një përshëndetje të veçantë ia dedikoi Kosovës meqë Kosova si shtet kishte primatin në këtë organizim.
Në këshillin organizativ të këtij aktiviteti ishte e përfshirë edhe Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës. Atë e përfaqësonte Shukrije Ramadani, udhëheqëse e Divizionit për Kulturë, Rini, dhe Sport në kuadër të kësaj ministrie. Znj. Ramadani kishte dhënë kontributin e saj të çmuar në aspektin organizativ.
Kryetari i qytetit të Klotenit, Marc Wisskirchen i falënderoi dhe u dhuroi nga një mirënjohje të gjitha komuniteteve pjesëmarrëse për angazhimin dhe përkushtimin e tyre.
Me ushqimet dhe specialitetet e tyre tradicionale u prezantuan shtetet si: Filipinet, Tailanda, Sri Lanka, Somalia, Peruja, Meksikoja, Libani, Letonia, Kongo, Italia, India dhe Kosova.
Në mënyrë që Kosova të prezantohej sa më dinjitetshëm, kontribut të madh kishin dhënë edhe gratë shqiptare të Klotenit duke përgatitur specialitete shqiptare të cilat u pëlqyen shumë nga pjesëmarrësit.
Prifti i kishës së reformuar, Stephen Pfeninger Scheit, e falënderoi përfaqësuesen e Ministrisë së Diasporës nga Kosova, Shukrije Ramadanin dhe bashkorganizatoren, mësuesen e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, Remzije Shabani, duke u dhuruar nga një buqetë lulesh për kontributin e tyre.
Në emër të ministrisë së Diasporës së Kosovës, në shenjë falënderimi për respektin që iu bë komunitetit shqiptar, Shukrije Ramadani ia dorëzoi kryetarit të qytetit, Marc Wisskirchen kopjen e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Kryetari Wiskirchen nga ana e tij falënderoi përzemërsisht znj. Ramadani dhe tha se kjo dhuratë është shumë e veçantë për të.