Ministrja e Punëve të Jashtme e Palestinës, Varsen Aghabekian, ka deklaruar se “gjenocidi i Izraelit ndaj palestinezëve në Rripin e Gazës” po vazhdon, duke përmendur përkeqësimin e kushteve humanitare dhe duke bërë thirrje për veprim të menjëhershëm ndërkombëtar.

Duke folur në një panel në Forumin e Diplomacisë së Antalyas në Türkiye, Aghabekian tha se situata në Gaza mbetet katastrofike edhe muaj pas marrëveshjes së armëpushimit.

“Sot jemi pesë muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes së Sharm el-Sheikh dhe ajo që shohim në Gaza nuk është gjë tjetër veçse një katastrofë. Vrasjet vazhdojnë, plagosjet vazhdojnë dhe ndihma humanitare është ende larg asaj që nevojitet”, tha ajo.

Ajo përshkroi kushte të rënda jetese, me palestinezë të zhvendosur që strehohen në tenda të ekspozuara ndaj përmbytjeve dhe kushteve jo-sanitare.

“Njerëzit po jetojnë në tenda që përmbyten nga uji”, tha ajo, duke shtuar se raportet nga organizatat ndërkombëtare tregojnë se banorët janë të rrethuar nga rrënoja dhe mbeturina, ndërsa ushqimet janë të kontaminuara nga brejtësit.