Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, mori pjesë në pritjen zyrtare të organizuar me rastin e 23 Prillit – Ditës së Turqve të Kosovës, me ftesë z. Fikrim Damka, Zëvendëskryeministrit të Tretë për Çështjet e Pakicave dhe Bashkëpunim, njëherësh Kryetar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Turke të Kosovës.

Në këtë aktivitet të rëndësishëm morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përfaqësues të institucioneve qeveritare, si dhe Ministri i Tregtisë së Republikës së Turqisë, Ömer Bolat. Të pranishëm ishin gjithashtu deputetë nga Kosova dhe Turqia, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë e publikë.

Kjo ngjarje shënoi një moment të rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, si dhe për fuqizimin e lidhjeve ndërmjet institucioneve dhe komuniteteve.

Me këtë rast, në emër të Komunës së Podujevës dhe Kryetarit Bulliqi, u shprehën urimet më të sinqerta për komunitetin turk në Kosovë, duke vlerësuar kontributin e tyre të çmuar në jetën institucionale, kulturore dhe shoqërore të vendit. Njëkohësisht u riafirmua përkushtimi për bashkëpunim të mëtejmë dhe avancim të vlerave të përbashkëta në shërbim të qytetarëve.