Kuvendi Komunal i Podujeves mbajti mbledhje të jashtëzakonshme
Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur sot mbledhje të jashtëzakonshme, e udhëhequr nga Kryesuesi i Kuvendit, Isak Shabani. Në mbledhje morën pjesë edhe Nënkryetari i Komunës, Fahri Restelica, drejtorë të drejtorive komunale, përfaqësues të KFOR-it si dhe përfaqësues të mediave.
Gjatë mbledhjes u shqyrtuan dhe u miratuan pikat e rendit të ditës:
1. Propozim-vendimi për përfaqësimin e Komunës së Podujevës në Kuvendin e Asociacionit të Komunave të Republikës së Kosovës
Përfaqësuesi i grupit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Rudari, në përputhje me rregulloren në fuqi, prezantoi formulën e ndarjes së vendeve për përfaqësimin e Komunës së Podujevës në Asociacionin e Komunave të Republikës së Kosovës. Sipas këtij propozimi, përfaqësimi do të përbëhet nga: Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, Kryesuesi i Kuvendit, Isak Shabani, dy përfaqësues nga radhët e LVV-së, Haki Rudari dhe Luljeta Muçolli, si dhe një përfaqësuese nga radhët e LDK-së, Gresa Maqastena. Propozimi u miratua nga anëtarët e Kuvendit.
2. Propozim-vendimi për themelimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB)
Kjo pikë u prezantua nga Nënkryetari i Komunës, Fahri Restelica, i cili dha sqarimet e nevojshme lidhur me funksionimin dhe rëndësinë e këtij këshilli, duke iu referuar edhe materialeve të shpërndara paraprakisht për anëtarët e Kuvendit. Me këtë rast, Nënkryetari Restelica uroi anëtarët e Kuvendit për marrjen e mandatit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit konstruktiv ndërmjet të gjitha subjekteve politike, me qëllim të avancimit të interesit të përgjithshëm publik dhe realizimit të projekteve në shërbim të qytetarëve të Komunës së Podujevës.
26.02.2026, Podujevë
Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim
