Home Uncategorized Lidhja II e shqiptarëve

Lidhja II e shqiptarëve

lidhja-prizrenitPrizreni i magjishëm rimerr lavdinë dhe misionin e 136 viteve më parë

“Qyteti i Lidhjes” mirëpriti dje qeveritë e dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës

Prizreni u shndërrua për një ditë në epiqendrën politike dhe shpirtërore të të dy shteteve shqiptare në rajonin e Ballkanit, Shqipërisë dhe Kosovës. Qyteti i “Lidhjes së Shqiptarëve” rimori lavdinë e 136 viteve më parë, teksa “bujti” jo më delegatët e krahinave mbarëkombëtare, por qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës në një tryezë të përbashkët. I shpallur vetëm pak ditë më parë si qyteti i nëntë më i bukur i botës nga portali ndërkombëtar “MSN”, Prizreni kufitar mori dje vëmendjen e të gjithë shqiptarëve të rajonit e më gjerë, nisur nga ringjallja e vullnetit të shqiptarëve për të marrë së bashku vendime për të ardhmen e përbashkët.

Pala shqiptare

Ministrat e kabinetit të drejtuar nga Kryeministri Rama morën dje vendimin të niseshin me një autobus drejt Prizrenit, për të treguar idenë e unitetit drejt një udhëtimi të mbushur me simbolika historike. Rreth orës 08.00 të ditës së djeshme, autobusi me ministrat e kabinetit u nis drejt kufirit me Kosovën. Por, përgatitjet për këtë udhëtim të tyre kishin nisur shumë orë më parë. Forcat e policisë kishin ‘blinduar’ rrugën ku do të kalonin ministrat duke përfshirë dhe “Autostradën e kombit” që në orët e para të mëngjesit për të siguruar një mbarëvajtje sa më të mirë të këtij udhëtimi. Ndërkaq, as punonjësit e pastrimit nuk kishin fjetur shumë. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm ata po nxitonin të përfundonin pastrimin përqark rrugës. Madje nuk mungonin dhe rastet kur në shpejtësi e sipër i jepej dora e fundit lyerjes së vijave ndarëse të autostradës që të çon në Kosovë, duke korrigjuar dhe neglizhencat në mirëmbajtjen sistematike të këtij aksi rrugor. Autobusi me ministrat u prit në orën 10 e 40 minuta me duartrokitje nga qindra qytetarë të mbledhur përpara ambienteve private të një salle konference ku u zhvillua mbledhja e përbashkët. Pala pritëse nuk vonoi t’u uronte mirëseardhjen, për t’i hapur rrugë dhe mbledhjes së parë të dy qeverive.

Pala kosovare

Sapo kaloje Pikën Kufitare të Morinit elementet e një ditë të shënuar për qytetin kufitar të Prizrenit fillonin e shfaqeshin ngadalë. Forcat e shtuara të policisë rrugore kosovare ndiheshin në çdo hap. Ndërkaq në hyrje të qytetit, autoritetet e komunës historike nuk kishin harruar të vendosin një pankartë të madhe me fotografinë e përbashkët të Kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçi, të shoqëruar me nënshkrimin. “Qyteti i Lidhjes, ju mirëpret”. Duke nisur nga periferia dhe duke kulmuar në qendër të qytetit, nuk mungonin flamujt e Shqipërisë dhe Kosovës. Madje si për një ditë të vërtetë feste nëpër shtyllat e ndriçimit të qytetit nuk mungonte as flamuri i aleatit strategjik të shqiptarëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, madje dhe ai i Bashkimit Europian. Pavarësisht se mbledhja ishte e parashikuar të mbahej në Prizren në orën 11.00, drejtuesit kryesor të qeverisë së Kosovës preferuan të ‘zbarkonin’ që një orë më herët. I pari që mbërriti nga pala kosovare në Prizren ishte Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili i shoqëruar nga tre këshilltarë të ngushtë iu drejtua një kafeneje në qendër të qytetit. Pak minuta më vonë, në barin ku Thaçi dhe këshilltarët e tij po konsumonin kafenë e mëngjesit, u duk dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, për t’iu bashkuar këtij rituali mëngjesor. Në pritje të delegacionit shqiptar dhe në krah të të rinjve të Kosovës, dy drejtuesit më të lartë të qeverisë kosovare nuk refuzuan as të plotësonin dëshirën e klientëve të barit për të pasur fotografi me ta.

Ceremoniali

Në orën 11.00, ashtu siç ishte parashikuar, dy kabinetet qeveritare u ulën përballë njëri-tjetrit në të parën mbledhje të përbashkët. Çeljen e takimit e bëri Kryeministri i Kosovës, Thaçi dhe më pas fjalën e mori kreu i qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, ku u vendos theksi te  nevoja e të dy vendeve për bashkëpunim më të ngushtë. Mbledhja më pas vijoi me dyer të mbyllura për median dhe pas përfundimit të saj, nga salla e konferencës ku ajo u zhvillua, kabinetet e dy ekzekutiveve u zhvendosën në godinën e Lidhjes së Prizrenit. Duke e kryer këtë rrugëtim të shkurtër në këmbë, dy kryeministrat dhe kabinetet e tyre përshëndetën qytetarët të mbledhur në të dyja anët e bulevardit për të festuar, por edhe për të protestuar. Në oborrin e godinës së Lidhjes së dekoruar me këtë rast, dy kryeministrat nënshkruan dhe dokumentin për bashkëpunim strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Po kështu ministrat e Ekonomisë dhe Transportit të të dy vendeve nënshkruan marrëveshjet për Bashkëpunim në Lehtësimin e Tregtisë dhe atë për Bashkëpunim në Transport dhe Infrastrukturë. Ndërkaq, këtë ceremonial e shoqëronte në sfond një muzikë me instrumente tradicionale shqiptare, ndërsa në qiell fluturonte një “deltaplan” me shqiponjën dy krenare të pikturuar mbi të.

Nacionalistët

Mbajtja e mbledhjes së dy qeverive të përbashkëta nuk i la të kënaqur të gjithë qytetarët kosovarë. Një pjesë e tyre ishin në Prizren për të protestuar. Me pankarta në duar dhe grafite në mure ata kundërshtuan mbajtjen e një mbledhjeje të tillë, të cilën e konsideruan ‘formale’, duke kërkuar Shqipërinë etnike dhe madje dhe bashkimin e të gjithë ilirëve në rajon. Kjo situatë çoi dje dhe në ndalimin nga policia e Kosovës së dy protestuesve të cilët nëpër bulevardin kryesor të qytetit nuk ngurronin të theksonin me tone agresive se “në Lidhjen e Prizrenit, duhet të hyjë vetëm një kryeministër i mbarë shqiptarisë”. Një rol në këto protesta pati dhe Lëvizja Vetëvendosje, ku disa të rinj përfaqësues të saj, kishin varur një banderolë në anë të lumit “Lumbardh” që përshkon qytetin ku shkruhej: “Veç Shqipni etnike, kurgjo tjetër”. Por protestë mbajti dhe partia e Fiseve të Bashkuara Ilire. Përfaqësues të saj kërkuan dje që politika shqiptare dhe ajo kosovare të bashkoheshin për të bërë të mundur krijimin e një shteti të ri i cili do të bashkonte të gjithë ilirët në rajonin e Ballkanit, duke përshirë këtu dhe ata të Bosnjës dhe Kroacisë.

Mungesat

Në sallën e mbledhjeve të qeverive mungonin dy ministret e Integrimit të Shqipërisë dhe Kosovës. Përkatësisht ministret Klajda Gjosha dhe Vlora Çitaku nuk ishin në sallën e përbashkët. Burimet bëjnë të ditur se mungesa e Gjoshës ka ardhur për shkak të një emergjence shëndetësore që ajo ka pasur dhe po kështu për arsye personale e pranishme në tryezë nuk ka qenë as Çitaku. Ministrat nuk kanë ngurruar të postojnë në faqet sociale dhe përshtypjet e tyre për këtë eveniment historik. “Bashkëqeverisje strategjike, gjuha, ëndrra dhe qëllimi ynë janë një. Kufiri është i qartë dhe i pandryshueshëm’. Në Prizrenin e Lidhjes për takimin e parë të dy qeverive që flasin një gjuhë”, shkruan në postimin e tij ministri Ilirjan Celibashi. Ky event është ndjekur dhe nga deputetët e forcave të ndryshme politike, si të Prishtinës dhe të Tiranës. Mbledhja e radhës mes dy qeverive pritet të zhvillohet në një tjetër qytet simbol për kombin shqiptar, në Vlorë, në vendin ku 100 vite më parë Shqipëria shpalli mëvetësinë. Prizreni u bë sërish, pas 136 vitesh epiqendra e shqiptarëve. Dy qeveritë zgjodhën këtë vend që ka qenë ‘pelegrinazhi’ i dhjetëra e qindra patriotëve dhe rilindësve që kishin një qëllim, moscopëtimin e trojeve, bashkimin në një shtet të vetëm. Tashmë pas më shumë se një shekulli, ëndrra duket se do të realizohet një bashkim mes dy vendeve në familjen e madhe, në atë të Bashkimit Europian.

Konferenca

Dy kryeministrat Thaçi dhe Rama dhanë konferencën për shtyp në oborrin para godinës ku u mbajt lidhja shqiptare e Prizrenit

Theranda

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive u mbajt në hotel Theranda në qytetin e Prizrenit. Paktet u firmosën në Lidhjen e Prizrenit

Vlora

Mbledhja e radhës me dy qeverive shqiptare, të Tiranës dhe Prishtinës është vendosur të mbahet në një tjetër vend historik, në Vlorë

Flamujt

Flamuj të Shqipërisë dhe Kosovës kishin mbushur dje Prizrenin nisur nga ceremoniali për mbajtjen e një mbledhjeje të përbashkët qeverie.

SHBA&BE

Në qytet nuk mungonin dje as flamujt e SHBA-së dhe Bashkimit Europian. Përballë sallës ku mbajt mbledhja e qeverisë valëvitej dhe flamuri turk, por edhe ai gjerman. /RadioRINIA/

Previous articleMbi 1 milion e 600 mijë pasagjerë shfrytëzuan ANP-në
Next articleRegjistri elektronik, gati për diasporën