Home SPORT Meha: Do t’i shënoj një ‘predhë’ Serbisë

Meha: Do t’i shënoj një ‘predhë’ Serbisë

foto (4)Pesë gola në katër ndeshjet e fundit me Paderbornin dhe një tjetër supergol me Kombëtaren Shqiptare.

Alban Meha po përjeton formën më të mirë në karrierë. Golat e tij janë njëri më i mirë se tjetri. Mesfushori nga Mitrovica rrëfen në një intervistë për gazetën “Arena”, goditjet nga gjuajtja e lirë, të cilat janë specialiteti i tij.

“Inspirimi im vjen nga Rivaldo. Gjithmonë e kam ndjekur atë. Krahas kësaj, ushtroj edhe me një shok timin, i cili është portier. Me të stërvitem nga 20 minuta deri një orë, pasi mund të harroj se si të godas topin”, thotë Meha.

Ai ka harruar kur ka shënuar gol në brendësi të zonës së rreptësisë. “Ose gola spektakolarë ose nuk shënoj fare. Nuk është më interesant vetëm të shënosh gol…”, shton 27-vjeçari.

Goli ndaj Maltës Në fanellën e Kombëtares Shqiptare ai realizoi golin e dytë. Të parin e kishte realizuar nga gjuajtja e lirë kundër Lituanisë, kurse maltezëve u shënoi nga 40 metra.

“Provuan disa herë Basha, Kaçe, kurse unë isha në dyshim të pasoja për Kapllanin apo të godisja, por vendosa të gjuaja vetë dhe topi shkoi në portë”, shton Meha, duke komentuar edhe lojën e kuqezinjve.

“Ishte mirë. Në pjesën e parë bëmë disa gabime siç dimë ne shqiptarët, por në pjesën e dytë arritëm dhe u stabilizuam më shumë në lojë. Fitorja ishte e merituar”, ka deklaruar mesfushori.

“Predha” për Serbinë?

Albani tani ka një tjetër ëndërr. Të dërgojë topin në portën e Serbisë në ndeshjen e Beogradit, më 14 tetor.

“Do të ishte interesante të shënoja një gol të tillë ndaj Serbisë. Sigurisht që do të provoj t’i shënoj, por më me rëndësi do të ishte të fitonim, sesa të shënoja unë. Kjo ndeshje do të jetë e fortë dhe të gjithë po e presim me padurim”, vazhdon Meha.

Ai te Kombëtarja shoqërohet me Valdet Ramën, Mërgim Mavrajn, Amir Abrashin e Edmond Kapllanin.

“Kapllani më ka mësuar disa fjalë shqip”, bën shaka mesfushori i Paderbornit. “Kemi gjasa të mira për t’u ngjitur në Bundesligën 1. Jemi në vendin e tretë. Askush nuk beson në këtë, pasi kemi një skuadër të vogël”, deklaroi Alban Meha.

E telefonoi trajneri i Kosovës. Meha bashkë me lojtarët tjerë të Kombëtares kanë parë ndeshjen Kosova-Haiti 0-0. Ai ndjen në një formë keqardhje që kosovarët nuk shënuan gol.

“Fusha ishte shumë e keqe dhe asnjë lojtar nuk arriti që të hyjë në histori me ndonjë gol”. Ndërkohë, zbuloi se javë më parë ishte kontaktuar nga trajneri i Kosovës, Albert Bunjaku.

“Më ka thirrur një herë Alberti, ka dashur të dijë gjendjen time. Ende nuk i kam thënë asgjë”, pohoi ai. Në pyetjen se nga po i ‘rreh zemra’, Shqipërinë apo Kosovën, ai nuk deshi të përgjigjej.

Previous articleJanuzaj në fushë, fiton United
Next articleArsenali në gjysmëfinale të FA Cup