Kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani, ka thënë se është sulmuar nga kryetari i kësaj komune që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Sami Lushtaku, dhe atë që e ka quajtur banda e tij. 

Përmes një postimi në Facebook të një anëtari të LVV-së në Skenderaj, Bahri Zabeli, shkrim i cili u postua në emër të Mehanit, i ka ftuar familjarët e tij për përmbajtje derisa thotë se ia kanë marrë edhe telefonin.

Te dashur miq jam sulmuar nga Sami Lushtaku dhe banda e tij. Telefonin personal ma kanë marrë. Lus policinë të mbroj familjen time dhe ftoj familjrët për përmbajtje.  Hysni Mehani”, thuhet në status.

Mehani së fundmi u emërua zëvendësministër në Ministrinë e Financave.

E në një reagim të Lëvizjes Vetëvendosje është thënë se Mehani u sulmua kur po pinte kafe me ish-deputeten e Arjeta Fejza dhe aktivistë të partisë në një kafene të Skenderajt. Ata kanë publikuar edhe foton se si duket Mehani, i cili shihet i gjakosur në fytyrë.

Sot, në kafeterinë “Solo” në qendër të Skenderajt, është sulmuar brutalisht nga Kryetari i Komunës së Skënderajt Sami Lushtaku dhe truprojat e tij, zëvendësministri i Ministrisë së Financave, kandidati për deputet dhe Kryetari i Qendrës së LVV-së në Skënderaj, Hysni Mehani. Ky sulm fizik ndodhi në kohën kur z. Mehani ishte duke pirë kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të LVV-së”, thuhet në reagim.

Sipas VV-së, Mehani fillimisht është goditur me grusht e më pas edhe gotë në kokë. Sekretari i Qendrës, Bahri Zabeli, u mundua ta qetësonte situatën, por sipas VV-së, u sulmua nga shoqëruesit e Lushtakut. Mehani aktualisht po merr trajtim mjekësor.

“Fillimisht, Hysni Mehani është goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me gotë në kokë. Pas përpjekjes së Sekretari të Qendrës, Bahri Zabeli për të parandaluar përshkallëzimin është sulmuar dhunshëm nga shoqëruesit e Sami Lushtakut edhe ai duke pësuar goditje të rënda. Hysni Mehani aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor”, vijon reagimi i tyre.

Sipas partisë, ky sulm fizik tregon se këta njerëz nuk e kanë vendin në institucione.

“Ky sulm fizik bandistesk tregon qartë për se këta njerëz nuk e kanë vendin në udhëheqje të institucione publike qendrore e lokale. Kërkojmë nga organet kompetente të trajtojnë rastin me urgjencë dhe ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore ndaj përgjegjësve. Po ashtu, kërkojmë nga Partia Demokratike e Kosovës dënimin e këtij akti. Lëvizja VETËVENDOSJE! dënon ashpër këtë sulm fizik, por njëkohësisht u tregon gjithë këtyre se nuk mund ta trembin as ta frikësojnë asnjë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e qytetar të Republikës”, vazhdon reagimi i tyre.

KOHA ka kontaktuar me Policinë e Kosovës, Mehanin dhe zyrën e Lushtakut për të mësuar detaje për rastin. Sapo të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.