Një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga prokuroria dy vite më parë, me akuzën e kontrabandës, është emëruar nga kryeministri Edi Rama i Zyrës së Punësimit në Kavajë, thuhet në një reagim të Partisë Demokratike.
“Dy vite më parë, në verën e vitit 2012 Saimir Kurti, u zbulua nga autoritetet doganore teksa një kontejnier që vinte nga Kina plot me cigare, e deklaronte si të mbushur me dyer, për të shmangur detyrimin prej 400 milionë lekësh. Ai u kallëzua dhe u shpall në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria”, thuhet në reagim.
Ky person ka marrë postin e lartë të Drejtorit të Zyrës së Punës në Kavajë, i propozuar nga Erion Veliaj.
“Mund ta dalloni në këtë foto, personin e shpallur në kërkim për kontrabandë, që qëndron para kryeministrit dhe në krah të ministrit. Nuk do mend e kalem, për ta kuptuar se sa boshe është retorika e Kryeministrit për merita e profesionalizëm”, vazhdon reagimi. /Telegrafi/