Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati, i është kundërpërgjigjur liderit të LDK-së, i cili ka deklaruar se nuk e do një koalicion me PDK-në pas zgjedhjeve.
Musmurati, në një intervistë për “Epokën e re”, ka thënë se pas zgjedhjeve të gjitha partitë do të ngarendin të bëjnë koalicion qeverisës me PDK-në dhe do t’i harrojnë deklarimet e tanishme.
Musmurati ka thënë se PDK-ja nuk e përjashton asnjë subjekt politik për koalicion, në këtë rast as LDK-në.
“Të them të drejtën, as këtë nuk e përjashtoj, duke e ditur se edhe LDK-ja është një subjekt i konsoliduar. Tani është në opozitë, eventualisht pas zgjedhjeve mund të jetë subjekt i dytë dhe sigurisht se dëshiron të jetë në strukturat e institucioneve”, ka thënë Musmurati, duke shtuar se PDK-ja në mandatin e ardhshëm mund ketë partner të mundshëm për të bashkëqeverisur secilin subjekt politik.
“Partnerë të natyrshëm e kemi secilin subjekt politik, i cili punon për zhvillimin e vendit dhe zhvillimin e institucioneve të vendit. Po them se ne jemi të hapur për të gjithë, kushdo që i plotëson kushtet për të hyrë në koalicion dhe i përshtatet programit tonë, atëherë sigurisht se ne nuk do ta refuzojmë”, ka thënë Musmurati.
Ai ka sqaruar se pse këto subjekte politike kanë ndërmarrë një fushatë të tillë për ta refuzuar për koalicion PDK-në. Sipas tij, këto parti po mundohen që nëpërmjet këtyre qëndrimeve ta dëmtojnë PDK-në dhe t’ia marrin ndonjë votë.
“Kjo është më shumë një fushatë e partive të tjera, të cilat eventualisht konsiderojnë se me këtë qasje mund të dëmtohet PDK-ja ose eventualisht t’ia zhvatin ndonjë votë për të mos dalë e para në zgjedhje. Po ashtu, këto parti kanë drojën se PDK-ja sigurisht do të dalë e para dhe druhen se nuk i pranon për koalicion”, ka thënë Musmurati.
Në këtë kontekst, ai ka vlerësuar se partia më e madhe në vend nuk mërzitet fort për këto deklarime refuzuese për koalicion.
“Megjithatë, ne si parti e fortë dhe e konsoliduar, si parti që i ka fituar disa palë zgjedhje deri më tash, do të fitojmë përsëri fort; nuk ua vëmë veshin këtyre deklaratave sepse çdoherë kemi thënë se jemi parti e hapur”, ka thënë Musmurati. /Epoka e Re/