Pezullimi i Dekretit
Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese ndalon një veprim të nxituar dhe të pajustifikuar që cenoi rendin kushtetues dhe demokracinë parlamentare në vend.
Vendosja e kësaj mase të përkohshme ndaj Dekretit që shpërndau Kuvendin siguron që të mos krijohen pasoja të pariparueshme derisa Gjykata Kushtetuese ta shqyrtojë në themel çështjen e kushtetutshmërisë së këtij dekreti. I cili për bindjen tonë të thellë është antikushtetues.
Lëvizja VETËVENDOSJE! rithekson se vullneti i qytetarëve nuk mund të anashkalohet apo të zëvendësohet me vendime të njëanshme. Ai shprehet në përfaqësimin demokratik parlamentar.
Aktualisht sipas masës së Gjykatës Kuvendi mbetet pa aktivitet dhe pa i shërbyer të mirës publike me vendimet e tij.
Edhe pse për të dalë me vendim Gjykata po i kërkon 3 javë kohë, presim që vendimi përfundimtar të mbrojë Kushtetutën, rendin demokratik dhe legjitimitetin e institucioneve të Republikës.
9 mars 2026
Lëvizja VETËVENDOSJE!

