Drejtuesit e aeroplanëve janë ankuar se shkëlqimi i fortë nga pasqyrat në kullat 140-metërshe të uzinës më të madhe të energjisë diellore në botë po ua pengon shikimin
Pilotët e aeroplanëve kanë raportuar se janë verbuar nga drita e madhe diellore e pasqyruar nga disa prej plot 340.000 pasqyrave në Ivanpah Solar Electric Generating System në kufirin Kaliforni-Nevada. Megjithatë, gjashtë muaj kanë kaluar para se ankesat e tyre të shkonin në adresë të rregullatorit që mbikëqyrë uzinën e energjisë diellore afër aeroportit të Las-Vegasit.
Pasqyrat diellore, të quajtura heliostate, tërheqin dritën e diellit në kullat e larta 140-metërshe që përmbajnë bojlerë të ujit. Drita e përqendruar e diellit ngroh ujin për të krijuar avull, i cili fut në funksion turbinat të cilat prodhojnë 377 megavat energji pa dyoksid karboni. Nxehtësia e liruar në atë pjesë është aq e madhe, saqë ajo ka shkrirë pendët e zogjve në mes të fluturimit në qiell.
Lartësia e fluturimit të aeroplanëve e bën nxehtësinë të parrezikshme për ta – por e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për dritën që lëshojnë kullat. “Nga karrigia e pilotit në aeroplan, drita ishte aq e fortë sikur ta shikosh diellin”, ka raportuar një pilot. Në një ankesë të cilën ai ia ka adresuar Sistemit Raportues të Sigurisë së Aviacionit, piloti ka shkruar se “këto pasqyra përbëjnë rrezik të madh për aeroplanët, sepse për një kohë të shkurtër unë s’kam mundur të shoh asgjë në qiell”.
Ai nuk është ankuesi i vetëm. “Çdo ditë, në mëngjesin e vonë dhe në orët e hershme të pasdites, ne marrin ankesa nga pilotët e aeroplanëve të cilët fluturojnë nga verilindja drejt jugperëndimit për shkëlqimin e kësaj uzine diellore”, ka raportuar një kontrollor i trafikut ajror në një qendër të Administratës Federale të Aviacionit, e cila e monitoron hapësirën ajrore në Kaliforninë jugore. Një pilot i ka thënë atij se drita e reflektuar nga pasqyrat e qendrës Ivanpah janë “gati verbuese”.
“Unë kam njoftuar udhëheqjen për këtë, dhe më është thënë se ata nuk do të bëjnë asgjë rreth këtij problemi”, ka shkruar kontrollori i trafikut ajror në një letër drejtuar Sistemit Raportues të Sigurisë së Aviacionit, një program 37-vjeçar, i krijuar nga Administrata Federale e Aviacionit dhe Administrata Kombëtare Aeronautike Hapësinore amerikane – NASA, dhe e administruar nga agjencia hapësinore në Kaliforni. “Unë nuk kam ide se çka mund të bëhet për këtë problem, por pasi kam qenë pasagjer në një aeroplan që ka fluturuar nëpër këtë hapësirë ajrore dhe pasi e kam parë gjendjen vetë, them se diçka duhet të bëhet. Drita është shumë e fortë dhe penguese”.
Ja pjesa e frikshme: Piloti dhe kontrollori i trafikut ajror i kanë paraqitur ankesat e tyre në gusht të 2013-s. Por, ankesat e tyre nuk kanë mbërritur te Komisioni Energjetik i Kalifornisë, i cili e mbikëqyrë uzinën Ivanpah dhe uzinat e tjera të energjisë diellore, deri më 10 mars të këtij viti.
Uzina e energjisë Ivanpah, e cila numëron NRG Energy dhe Google në mesin e investitorëve të saj, është rreth 65 kilometra larg aeroportit të Las-Vegasit. Departamenti i Aviacionit i qarkut Klark, në Nevada, i cili më parë kishte shprehur shqetësim për rrezikun e verbimit të pilotëve nga pasqyrat, i ka marrë ankesat në fund të janarit, por nuk i ka përcjellë ato në adresë të Komisionit Energjetik të Kalifornisë deri në këtë muaj, pasi ai i ka hetuar çështjet e ngritura nga pilotët.