Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe ata të institucioneve të Bashkimit Evropian janë në një proces negocimi në lidhje me mandatin e misionit të EULEX-it pas 15 qershorit. Pas kësaj date, misioni i EULEX-it pritet të pësojë disa ndryshime.
Me qëllim të negocimit të këtij mandati dhe themelimit të një gjykate speciale për krimet e luftës, sipas kërkesës së autoriteteve të BE-së, në Bruksel po qëndrojnë zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.
Në një komunikatë të lëshuar nga Ministria e Drejtësisë është thënë se ministrat e Qeverisë së Kosovës kanë diskutuar me përfaqësues të Bashkimit Evropian nga Zyra e Baroneshës Catherine Ashton, udhëheqësit e operacioneve civile të BE-së, përfaqësues të Komisionit Evropian dhe përfaqësues të EULEX-it, lidhur me mandatin e EULEX-it pas 15 qershorit.
Temë e veçantë interesi për Prishtinën, mbetet tranzicioni dhe transferimin i kompetencave nga ky mision tek institucionet e Kosovës.
“Në këtë drejtim parashihet arritja e marrëveshjes përmes shkëmbimit të letrave në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila me pastaj duhet të ratifikohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga 2/3 e deputeteve, si dhe amendamentimet e ligjeve për transferimin e kompetencave nga EULEX-i të institucionet vendore”, thuhet në komunikatë, transmeton REL.
Aty është bërë e ditur se për përmbajtjen e letrave që duhet të shkëmbehen, ende nuk ka pajtueshmëri në mes palëve pasi delegacioni i Republikës së Kosovës ka kërkuar kohë për harmonizim me institucionet kompetente në këtë proces, përfshirë edhe ato të drejtësisë, si dhe subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës. /Telegrafi/