Home SPORT PSG-ja, një milion euro për kokë nëse fitohet Championi

PSG-ja, një milion euro për kokë nëse fitohet Championi

Nëse lojtarët e Paris Saint-Germainit nuk kishin motivim të mjaftueshëm deri më tash për të fituar për herë të parë Ligën e Kampionëve, tash e kanë. Gazeta franceze “L’Equipe” raporton se çdo lojtar i PSG-së do të ketë nga një milion euro bonus nëse fitohet Liga e Kampionëve këtë edicion.

Fondet e pronarëve nga Katari duken të pashtershme.

Aq e madhe është dëshira për të fituar trofeun e parë të Ligës së Kampionëve, sa që pronari, QSI (Qatar Sports Investments) po ofron një milion euro bonus për çdo lojtar nëse arrihet triumfi në finalen që do të luhet në Lisbonë, më 24 maj.

Kjo është premia më e madhe e paguar ndonjëherë në histori të futbollit.

Aktualisht rekordin e mban bonusi prej 800 mijë euro që lojtarët e Bayern Muenchenit e morën për triumfin në Ligën e Kampionëve edicionin e kaluar si dhe për fitimin e Bundesligës dhe Kupës së Gjermanisë.

Me një skuadër prej 25 futbollistëve për Ligën e Kampionëve, presidenti i PSG-së, Nasser al Khelaifi pritet të paguajë një shifër totale prej 25 milionë eurosh, ndonëse nuk është qartësuar ende nëse do të marrin një milion euro vetëm lojtarët titullarë apo të gjithë lojtarët.

Sipas “L’Equipe”, thuhet se ylli i Parisit, Zlatan Ibrahimoviq, ka negociuar me presidentin e klubit.

Lojtarët e PSG-së nuk janë të huaj kur bëhet fjalë për bonuset e mëdha.

Vitin e kaluar çdo lojtar kishte marrë nga 240 mijë euro pasi skuadra kishte arritur në çerekfinale, në të cilën fazë u eliminua nga Barcelona.

Po ashtu morën nga 400 mijë euro për fitimin e ligës së Francës, ndërsa Parisi është rrugës së mbarë për të mbrojtur këtë titull.

Pronarët nga Katari duan me çdo kusht të shohin skuadrën e tyre t’i bashkohet elitës evropiane si Barcelonës, Real Madridit e Bayern Muenchenit.

Një gjë që pa dyshim do të vendoste klubin në këtë nivel është fitimi i Ligës së Kampionëve.

Shorti për fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve do të hidhet të premten.

“Ne jemi sërish në mesin e tetë skuadrave më të mira në Evropë. Por, ka mjaft skuadra të mëdha në këtë garë. Ne do të shikojmë të shkojmë sa më larg të jetë e mundur”, ka thënë Khelaifi.

Previous article“Ik Hashim” nis protestat për largimin e qeverisë
Next articleGoogle freskon aplikacionin Search, fotot dhe videot ngarkohen me zë