Kapiteni i Barcelonës, Carles Puyol, gjatë një konference për media, ka bërë me dije se do të largohet nga Barcelona. Qendërmbrojtësi Puyol ka theksuar se largimi i tij nga Barcelona do të ndodhë në fund të këtij sezoni.
35 vjeçari ka pasur probleme të shumta me lëndime viteve të fundit dhe është paraqitur vetëm 6 herë në të gjitha garat këtë sezon, duke u zëvendësuar nga Javier Mascherano dhe Marc Bartra si krah i Piques.
“Klubi është i njoftuar për vendimin tim. Unë nuk po e lë skuadrën sot, ka edhe 3 muaj deri në fund të sezonit”, tha Puyol në konferencën për media të mbajtur të martën.
“Nuk e di së çfarë do të bëj pas 30 qershorit. Më duhet pushim dhe të mendoj. Do të shohim pastaj”.
Në fund ai shtoi: “Dua të falënderoj të gjithë në skuadër për gjithçka që kanë bërë për mua”.
Mbrojtësi e filloi karrierën pikërisht në Camp Nou në vitin 1999, dhe ka arritur afër 600 paraqitje për Barçën në të gjitha garat.