Home LAJME Rakic demanton Bahtirin: S’ka takim për heqjen e barrikadës, s’ka ndërtime te...

Rakic demanton Bahtirin: S’ka takim për heqjen e barrikadës, s’ka ndërtime te “Kroi i Vitakut”!

Edhe pse i pari i qytetit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, kishte paralajmëruar për sot një takim me kryetarin e veriut të Mitrovicës, Goran Rakic, për të biseduar mes tjerash edhe rreth heqjes së barrikadës mbi lumin Ibër. Por, Rakic ka demantuar takimin e sotëm me homologun e tij nga jugu, duke thënë se barrikada nga ura kryesore nuk do të hiqet edhe për një kohë.

“Nuk kam marr ndonjë ftesë për takim dhe as që është koha të bisedohet për heqjen e barrikadës”, ka thënë Rakic para gazetarëve në veri. Ai madje rindërtimin edhe të gjashtë shtëpive në “Kroin e Vitakut” në veri, të paralajmëruar nga Agim Bahtiri, e ka quajtur të pamundur.

“Nuk do të lejoj rindërtimin e shtëpive në territorin e veriut të Mitrovicës”, ka thënë Rakic.

Sipas tij, deklaratat e Bahtirit janë tentim për diskreditimin e personalitetit të tij si kryetar i veriut të Mitrovicës.

Duke folur rreth deklaratave të Bahtirit për heqjen e barrikadës për një kohë të shkurtër, sepse ai vjen nga bota e biznesit dhe ka prioritet zhvillimin ekonomik, Rakic ka thënë se në këto momente nuk mund të jetë prioritet biznesi, por qetësimi i tensioneve.

“Unë si kryetar komune nuk do të lejojë ndërtimin e shtëpive”, theksoi Rakic.

Në anën tjetër, Hysni Syla, shef i zyrës për informim në komunën e Mitrovicës, tha se takimi i paraparë për sot në mes të dy kryetarëve, është shtyrë nga Ministria për Komunitete dhe Kthim. Sipas tij, takimi do të mbahet të enjten e ardhme në ora 10:00, ndërkaq rreth rindërtimit të shtëpive të shqiptarëve në veri të qytetit, ai tha se punimet do të vazhdojnë.

“Punimet në rindërtimin e shtëpive në Kroin e Vitakut do të vazhdojnë dhe ato sigurisht se do të ndërtohen”, ka thënë Syla. /Kosovapress/

Previous articleGëzim Kelmendi kërkon njësi speciale për rajonin e Pejës
Next articleKonjufca: Edita Tahiri nuk e thotë të vërtetën; Tahiri: VV i mohon të arriturat e Kosovës