Viti 2025 u rendit si viti i tretë më i ngrohtë globalisht që nga fillimi i regjistrimeve, sipas Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Kopernikus (C3S) të Bashkimit Evropian dhe Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO), duke nënvizuar një trend të vazhdueshëm të rritjes së temperaturave globale dhe ekstremeve klimatike të vazhdueshme.
Raporti, Pikat Kryesore të Klimës Globale 2025, tregon se viti ishte vetëm pak më i freskët se viti 2023 dhe pasoi vitin 2024, i cili mbetet viti më i ngrohtë i regjistruar dhe i pari që tejkaloi qartë 1.5 gradë Celcius (2.7F) mbi nivelet para-industriale.
Temperatura mesatare globale e sipërfaqes në vitin 2025 ishte 14.97 gradë Celcius (58.9F), që është 0.59 gradë Celcius (1.06F) mbi mesataren e viteve 1991-2020 dhe 1.47gradë Celcius (2.64F) mbi nivelet e vlerësuara para-industriale.
Të dhënat e Copernicus tregojnë se gati 91 për qind e Tokës përjetoi temperatura mbi mesataren gjatë vitit, me pothuajse gjysmën e globit që regjistroi kushte dukshëm më të ngrohta se normalja.
Janari 2025 shënoi janarin më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë, ndërsa marsi, prilli dhe maji u renditën secili si i dyti më i ngrohtë për muajt e tyre përkatës.
Temperaturat e sipërfaqes së detit mbetën jashtëzakonisht të larta gjatë gjithë vitit, me mesataren globale që arriti 0,38 gradë Celcius (.684F) mbi nivelin bazë të periudhës 1991-2020 – e treta më e larta e regjistruar ndonjëherë.
Kjo ndodhi pavarësisht kushteve neutrale të El Niños.
Rajonet polare përjetuan ngrohje të theksuar, me temperaturat e Antarktidës që arritën nivele rekord dhe Arktikun që regjistroi nivelet e dyta më të larta.
