Home LAJME Reforma territoriale, Rama i kërkon Bashës

Reforma territoriale, Rama i kërkon Bashës

Reforma territoriale dhe vullneti për ta miratuar me konsensus të përbashkët të palëve, ka bërë që Kryeministri Edi Rama, ashtu sikurse ishte bërë me dije edhe më parë, t’i çonte një letër kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, ku e fton për bashkëpunim, për arsyen se kjo është një çështje me interes të veçantë për të gjithë, për të sotmen dhe për të ardhmen e vendit.

“Ju ftoj ta nisim pa humbur kohë bashkërisht, shumicë-opozitë punën e Komisionit Parlamentar të ngritur për këtë reformë me interes të posaçëm strategjik për vendin. Ne e presim prej kohësh opozitën të jetë pjesë e Komisionit dhe kjo dëshmon qartë vullnetin tonë për ta nisur dhe bitisur së bashku këtë proces, edhe pse disponojmë 84 votat e nevojshme për miratimin e reformës”, thuhet në letrën e Ramës.

Kryeministri i shpreh po ashtu Bashës, gatishmërinë e tij për ta takuar personalisht, në rast se kreu i PD-së kërkon të ndajë shqetësimet e tij dhe opozitës lidhur me këtë çështje.

Rama thekson se reforma territoriale është konsideruar e domosdoshme, jo vetëm nga të gjitha partitë më të mëdha politike në vend, por edhe nga partnerët e Shqipërisë dhe nga organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare.

Previous articleRooker: Unë dhe Stalone gati sa nuk vdiqëm
Next articleTymoshenko: Putin e ka humbur Ukrainën