Home Uncategorized Regjistri elektronik, gati për diasporën

Regjistri elektronik, gati për diasporën

Ibrahim Makolli, ministër i Diasporës është optimist se në fund të shtatorit Kosova do të ketë një pasqyrë preliminare për numrin e mërgimtarëve.

Brenda dy ditëve të ardhshme, Qeveria e Kosovës do të lëshojë në funksion portalin elektronik që u mundëson të gjithë bashkatdhetarëve të aplikojnë për t’u regjistruar në listat e regjistrimit të mërgatës. Kështu deklaroi për “albinfo” Ministri kosovar i Diasporës, Ibrahim Makolli.

Ai tha se portali elektronik me aplikacionet për regjistrim ka qenë gati para një muaji, por nuk është lëshuar në funksion derisa ka përfunduar faza testuese. Sipas ministrit Makolli, ky portal është shumë i sofistikuar, që garanton mbrojtjen ligjore dhe kushtetuese të të dhënave.

“Jemi në fazën testuese të portalit elektronik, i cili është i gatshëm që të startojë nga dita e hënë. Portali do të funksionojë pa pasur frikë se dikush mund të hyj në dosjen e të dhënave personale në server”, deklaroi ministri Makolli.

Ndryshe, Ministria e Diasporës në pajtim me Ligjin për mërgatën dhe diasporën e Kosovës ka filluar hartimin e regjistrit të diasporës dhe mërgatës. Regjistrimi do të behët nëpërmjet formës elektronike dhe nëpërmjet formularëve.

Formularët, sipas MeD, mund të gjenden në gjitha ambasadat dhe konsullatat e Kosovës, në të gjitha komunat e Kosovës dhe nëpër të gjitha pikëkalimet, në Aeroportin “Adem Jashari” dhe në zyrat e Ministrisë së Diasporës.

Mirëpo, në pyetjen se pse nuk ka formularë të regjistrimit nëpër ambasada dhe konsullata të Kosovës?, Makolli tha se aplikacionet do të dërgohen shumë shpejt, sepse sipas tij, orientimi fillestar i ministrisë ka qenë regjistrimi i mërgimtarëve që kanë ardhur për fundvit në vendlindje.

Sipas ministrit, regjistrimi i diasporës do të zhvillohet në tri faza. E para, siç tha Makolli, ka qenë faza e parë e shpërndarjes së aplikacioneve nëpër kufij sepse ka pasur ardhje të mërgatës për festat e fundvit.

“Tash fillojmë dërgimin e aplikacioneve nëpër të gjitha konsullatat dhe ambasadat jashtë vendit. Po ashtu pjesë e fazës së dytë është portali elektronik, ndërsa faza e tretë fillon gjatë verës me ardhjen e mërgimtarëve në Kosovë”, deklaroi Makolli, sipas të cilit, nëse procesi ecën mbarë në vjeshtë do të dihen përafërsisht sa diasporë ka Kosova.

“Besojmë se do ta kemi një pasqyre të qartë ka fundi i vitit sepse është një proces permanent që nuk përfundon kurrë, por shpresojmë se deri në shtator, të kemi të dhënat preliminare për regjistrin e diasporës, për përbërjen dhe shtrirjen e saj gjeografike”, deklaroi ministri kosovar.

Të dhënët nga regjistri, sipas Ministrisë së Diasporës, janë të nevojshme për lehtësimin e procedurave administrative, si për nxjerrjen e dokumenteve personale, asistencë në çështje bizenesore dhe për të gjitha nevojat e diasporës dhe mërgatës.

Për t’u njoftuar për procedurat, bashkatdhetarët sipas Ministrisë së Diasporës, mund të vizitojnë faqe:www.rdks.info

Ndryshe, “albinfo.ch ka raportuar më herët se Institucionet e Kosovës janë të vetmet në rajon që nuk e dinë se sa popull përfaqësojnë në diasporë. Në dekadën e fundit janë dhënë shifra të ndryshme nga 300 mijë, në 500 mijë e 700 mijë kosovarë që jetojnë jashtë vendit.

Vetë ministri i Diasporës ka thënë se numri i mërgatës kosovarë mund të shkoj në afër 1 milion.

Përveç Ministrisë së Diasporës e cila është e bartëse e këtij procesi, në regjistrin e mërgatës janë përfshirë edhe Ministria e Punëve të Jashtme, Ministra e Punëve të Brendshme, Ministra e Pushtetit Lokal, Agjencia e Statistikave të Kosovës, komunat dhe disa agjenci të tjera.

Ndryshe më 24 prill të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës miratoi Koncept-Dokumentin, për krijimin e një baze të të dhënave të mërgimtarëve. Sipas këtij Dokumenti, regjistri i mërgimtarëve do të përmbajë të dhënat për numrin, moshën, gjininë, profesionin, nivelin e arsimit, fuqinë e tyre intelektuale dhe ekonomike, organizimin e tyre në shoqata dhe organizime tjera.

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, Kosova ka mbi 1.7 milionë banorë rezident. Kjo shifër ka nxjerrë disa dilema, për faktin se ka variuar relativisht shumë nga regjistrimet e mëparshme, ai i vitit 1981 dhe regjistrimi i dhunshëm i Serbisë i vitit 1991.

Shifrat që kanë dalë nga regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë, e kanë bërë nevojë imediate regjistrimin e diasporës, për faktin se shifrat e frymorëve të regjistruar janë të përafërta me numrin e të regjistruarve në listat e votimit. Kjo dëshmon se numri mërgimtarëve përbën një të tretën e trungut demografik të Kosovës. /RadioRINIA/

Previous articleLidhja II e shqiptarëve
Next articleMusliu: Bënë hajgare me 100 mijë euro!