Nën patronatin e Kryeministrit Albin Kurti, sot në Prishtinë u mbajt akademi përkujtimore në shënim të 45-vjetorit të demonstratave të vitit 1981, një nga momentet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare dhe rrugëtimit për liri e pavarësi.

Në këtë akademi mori pjesë edhe nënkryetari i komunës, Fahri Resetelica, duke nderuar sakrificën dhe kontributin e gjeneratave që i paraprinë lirisë së vendit.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe Ministra të Qeverisë, ish të burgosur politikë, aktivistë politikë të kohës, si dhe figura të njohura nga bota e akademisë dhe shkencës.

Në fjalën e saj, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, vlerësoi rolin e jashtëzakonshëm të demonstratave të vitit 1981, duke theksuar në veçanti kontributin dhe guximin e grave në këto lëvizje historike.

Ndërkaq, Kryeministri Albin Kurti foli për qëllimin e protestave, rëndësinë e tyre në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe ndikimin që patën në rrugën drejt shtetësisë.

Gjithashtu Bajram Kosumi, Elmije Plakiqi dhe Shefik Sadiku mbajtën nga një fjalë rasti, duke ndarë reflektime mbi rëndësinë historike dhe mesazhin e demonstratave.

Në kuadër të programit artistik u realizua edhe leximi i poezive të Hydajet Hyseni, kushtuar kësaj dite të rëndësishme historike.

Akademia u përmbyll me pika artistike nga Okteti Plus, me interpretimet “Hej ju male” dhe “Heu ç’janë këto dallgë”, duke sjellë emocione dhe kujtesë të gjallë për sakrificën dhe idealin e brezave të tërë.

Lavdi të gjithë atyre që sakrifikuan për Kosovën!

02.04.2026, Podujevë
Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim