Edhe pse e kanë të rregulluar plan programin mësimor në gjuhën e tyre, nxënësit e komunitetit rom në shumicën e komunave të Kosovës vijojnë mësimin në gjuhën serbe, madje as nuk dinë të flasin mirë shqip.
Krejt kjo po ndodh për shkak se ata marrin ndihma sociale nga qeveria e Serbisë dhe në njëfarë mënyrë janë të kushtëzuar të mësojnë vetëm në gjuhën serbe, raporton KTV.
Ndihmat Sociale nga Republika e Serbisë e kanë joshur komunitetin rom në Gjilan të mos inkuadrohen në sistemin arsimor të Kosovës.
Këta nxënës, edhe pse jetojnë në Kosovë, mësim parësor e kanë gjuhën serbe dhe shumica prej tyre as nuk dinë të flasin shqip, madje mësimet i ndjekin në një shkollë me emrin “Vuk Karaxhiq”.
Të gjitha librat ku ata i marrin mësimet e para janë në gjuhën serbe, edhe pse për ta është krijuar plan programi në gjuhën e tyre.
Nxënësit nuk dinë pse nuk mësojnë me planprogramin në gjuhën shqipe.
“Në shkollën tonë, mësojmë gjuhën serbe dhe angleze. Unë nuk di pse nuk mësojmë gjuhën shqipe, por në fakt unë edhe nuk di të flas fare shqip”.
“Edhe unë mësoj në gjuhën serbe, këtu kaloj mirë dhe unë di të flas shumë pak në gjuhën shqipe”.
Të gjithë mësimdhënësit e këtyre nxënësve janë të komunitetit serb, por askush nuk deshi të prononcohej para kamerës.
Zëvendësministri i Arsimit, Usmen Bladzi, ka thënë se Ministria e Arsimit, ka hartuar kurrikulin për gjuhën, historinë dhe kulturën rome, por është e drejtë e tyre të vendosin se në cilën gjuhë do t’i vijojnë mësimet.
“Jemi në përgatitje të librave në bazë të kurrikulës në gjuhën rome. Po ashtu kemi dorëzuar vendimin te të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit që t’i mundësohet komunitetit rom mësimi fakultativ në gjuhën e tyre, normalisht nëse ata e dëshirojnë këtë. Komuniteti rom po vazhdon të mësojë në gjuhën serbe, por ata kurdo mund t’i kthehen mësimit në gjuhën shqipe”.
Në shumicën e komunave nxënësit e komunitetit rom mësojnë në gjuhën serbe, por ata mund t’i kthehen mësimit në gjuhën shqipe ose të vijojnë mësimet në gjuhën e tyre.
Në shkollën “Vuk Karaxhiq” në Gjilan mësojnë rreth 80 nxënës të komunitetit rom, me dy ndërrime.