Sistemi global i energjisë po përballet me një nivel të paparë brishtësie të nxitur nga tensionet gjeopolitike, paralajmëroi sot shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol.
“Po jetojmë në një situatë jashtëzakonisht të brishtë. Ekonomia globale varet sot nga një numër shumë i kufizuar aktorësh”, tha Birol për “France Inter”.
Duke folur në selinë e IEA-së në Paris, Birol tha se paqëndrueshmëria rreth Ngushticës së Hormuzit është një faktor kyç rreziku për tregjet globale të energjisë. Ai paralajmëroi se ndërprerjet në rrugën e ngushtë ujore mund të kenë pasoja të gjera për ekonominë globale, duke e quajtur situatën “absurde, por reale”.
“Vazoja është e thyer. Dhe kur një vazo thyhet, nuk mund ta riparosh plotësisht”, tha Birol duke theksuar se efektet e krizës aktuale do të jenë afatgjata.
Ai tha se tregjet globale të energjisë mbeten shumë të ndjeshme ndaj zhvillimeve gjeopolitike, përfshirë sinjalet nga aktorë të mëdhenj politik si presidenti i ShBA-së, Donald Trump, deklaratat e të cilit mbi politikën tregtare dhe energjetike vazhdojnë të kontribuojnë në pasigurinë e tregut.

