Home SPORT Sheikët, të gatshëm ta blejnë edhe Milanin

Sheikët, të gatshëm ta blejnë edhe Milanin

fotoMungesa në Ligën e Kampioneve për në sezonin e ardhshëm nuk do t’i sigurojë Milanit të ardhurat e mjaftueshme financiare për të ndërtuar një strategji afatgjatë.

Për këtë arsye, duket se presidenti i kuqezinjve, Silvio Berlusconi, po kërkon ortak të rinj. Edhe pse para dy ditësh mohoi bisedimet e mundshme me donator të huaj, duke theksuar: “Nuk do e shes kurrë Milanin”, diçka po lëviz. Nga Parisi ka ardhur konfirmimi dje se rrjeti i kanaleve televizive “mediaset” është në orbitën e miliarderëve nga Katari, të cilët janë të interesuar për të blerë edhe një pjesë të paketës. Nga ky fakt mund të përfitojë edhe Milani, duke qenë se është në grupin e “Fininvest”.

Sipas së përditshmes franceze “L’Equipe”, familja Berlusconi mund të vendosë t’i shesë një pjesë të kuotës së klubit (30%) familjes miliardere të Katarit, Al Thani, për një vlerë prej 150 milionë eurosh. Këto të fundit bëhet e ditur se kanë projekte madhështore, në rast se futen në klubin kuqezi.

Prioriteti është ndërtimi i një stadiumi modern, që do të marrë emrin e fondacionit nga Katari. Shembulli është ai i stadiumit të Bayern Munichut “Allianz Arena”. Sakaq, arabët do të sillnin dhe para të freskëta, të cilat do të përdoren nga Milani për të zeruar borxhet dhe për të investuar më pas në ndërtimin e ekipit. Për momentin, tratativat janë në fazën embrionale.

 

Previous articleAngela Martini pushton revistat suedeze, pozon me ish të dashurën e Jude Law
Next articleArma me pamjen e një iPhone