Home Uncategorized Shfaqja më e mirë e festivalit shpallet “Tri mendje në ankand” e...

Shfaqja më e mirë e festivalit shpallet “Tri mendje në ankand” e Tiranës

Tri mendje në ankand-gjilanGjilan – Mbrëmë në Gjilan, me shfaqjen e Tetarit Metrol të Tiranës “Tri mendje në ankand” dhe shpalljen e rezultateve të jurisë vlerësuese, është mbyllur Festivali i Dramës Shqiptare “Talia e Flakës” që mbahet në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit”, që ka zgjatur pesë net me radhë.

Me vendimin e jurisë, në përbërje Rajmonda Bulku, Jahi Jahiu e Agim Selimi, shfaqja më e mirë e festivalit u shpall ajo “Tri mendje në ankand”, me tekst të Ferdinand Hysit dhe regji të Elma Doresit, e Tetarit Metropol të Tiranës.

Drama tragjiko-komike “Tri mendje në ankand” me tekst të Ferdinand Hysit dhe regji të Elma Doresi, e cila e ka përmbyllur festivalin në Gjilan, trajtoi jetën brenda mureve të një spitali psikiatrik, ku tre të sëmurë mentalë kanë vetëm një shqetësim, se si t’i mbyllin vrimat e kësaj ndërtese, e cila pikon.

Çmimin për tekstin-dramën më origjinale e mori Ferdinand Hysi (Metropol), kurse çmimi – regjia më e mirë e Festivalit iu dha Blerta Neziraj- Rustemi (Qendra Multi-Media Perishtinë).

Çmimin aktori më i mirë i Festivalit e mori Gëzim Bucolli (Teatri i Gjilanit), ndërsa epiteti i aktores më të mirë i takoi aktores Amernis Jovanovska – Nokshiqi (Gishti).

Aktorja më me perspektivë u shpall Tringa Hasani (Teatri i Gjilanit), derisa aktorja Elona Hyseni (Metropol Tiranë) u vlerësua për rolin më të mirë dytësor.

Tri-mendje në ankand1

Nexhmedin Ymeri, i cili pas pak ditësh shkon në pension, u nderua me çmimin e veçantë për arritje jetësore nga Tetari i Gjilanit.

Rajmonda Bulku, kryetare e jurisë ka falënderuar publikun gjilanas për interesimin e madh që pati për Festivalin e Dramës Shqiptare, duke stërmbushur sallën e Teatrit në Gjilan.

Brenda kësaj atmosfere, regjisorja e dramës “Tri mendje në ankand”,  Elma Doresi do të thotë se “publiku është çmimi më i madh për ne”. Këtë çmim do ta ëndërronte çdo regjisor, ka thënë Doresi.

Asaj, çmimin kryesor të Festivalit ia dorëzoi kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, që edhe e shpalli të mbyllur këtë pjesë të manifestimit “Flaka e Janarit”, i cili vazhdon edhe dy ditë të tjera, me pjesën letrare dhe muzikore.

Në kuadër të festivalit “Talia e Flakës” janë mbajtur edhe debate për shfaqjet si dhe ligjërata lidhur me artin skenik nga dramaturgë dhe përfaqësues të tjerë të jetës teatrore. /RadioRINIA/

Previous articleKrasniqi: Haziri tjetër flet e tjetër vepron
Next articleMrekullia e shpëtimit të vogëlushes në Siri (Foto+Video)