Home LAJME Shtatzëna rome: Më përdhunoi kushëriri, do e shes foshnjën

Shtatzëna rome: Më përdhunoi kushëriri, do e shes foshnjën

Është vetëm 20 vjeçe, por për një muaj do të sjellë në jetë fëmijën e saj të tretë.

Më zgjat dorën teksa jam duke lëvizur me makinë në qytet. “Na fal 100 lekë”, thotë 20-vjeçarja rome dhe t’i ngul sytë gati në të qarë. Ndërsa ‘gërmoj’ nëpër xhepa për ndonjë monedhë, si nën zë, shtatzëna lypëse më thotë: “A do e blini dhe fëmijën tim?” Një moment shtangem dhe lëviz kokën pas, më tej e pyes: “Po sa e shet?” Më thotë që nuk kërkon shumë, 1 milion lekë të vjetra. Nxjerr makinën nga rruga dhe ndalem për pak çaste të bisedoj me gruan e re, që kushedi ç’rrethana po e detyronin të kërkonte blerës për fëmijën e saj akoma të palindur. Nuk dëshiron të identifikohet.

Megjithëse ka aq pak vite mbi kurriz, duket 20 vjet më e plakur. Më thotë se fëmija që pret është fryt i një marrëdhënieje incesti me kushëririn e saj (djalin e tezes). Gjatë bisedës me të, ajo i tha GSh se gjendja e rëndë ekonomike e ka shtyrë të mendojë për të shitur fëmijën e saj të tretë, pasi nuk ka bukë për të ngrënë.

-Si e siguron jetesën? 
Kërkoj sa andej-këtej nëpër qytet lëmoshë, që të arrij të blej ndonjë gjë për të ngrënë. Nuk kam asnjë mbështetje, asnjë të ardhur. Kërkoj në kazanët e mbeturinave për ndonjë gjë për të veshur dhe në rrugë lyp për ndonjë lek që të blej për të ngrënë.

-Sa vjeçe je dhe sa fëmijë ke?
Jam 20 vjeçe, sa i kam mbushur. Kam dy fëmijë, një e kam 3 vjeç dhe një 2 vjeç. Tani po pres edhe një tjetër, jam 8-muajshe shtatzënë. Nuk e di se ku të mbështetem. Tani jetoj te mamaja, por ajo është shumë ngushtë për vete dhe lekë të më mbajë s’ka. Nuk kam burrë që të më ndihmojë dhe të sigurojë lekë për të ushqyer fëmijët.

-Nëse je në vështirësi financiare, pse e nise fëmijën tjetër? 
Ndodhi jashtë dëshirës sime. Një ditë u zura me mamanë dhe ika nga shtëpia. Shkova tek tezja ime që banon në fshat. Aty nisi gjithçka. Kushëriri im më përdhunoi dhe nga kjo marrëdhënie ngela shtatzënë. Kur mësova lajmin se kisha mbetur me barrë, gati u çmenda, s’kam fjetur gjithë natën. Nuk dija çfarë të bëja. Para nuk kisha që të dështoja. Tani jam 8-muajshe dhe dua ta shes, se nuk kam me çfarë ta ushqej.

-Do t’i shesësh të tre fëmijët, apo vetëm këtë që pret të lindësh? 
Jo, vetëm këtë që po pres të lindë.

-Sa lekë do ta shesësh fëmijën? 
1 milion lekë. S’kam lekë, prandaj dua ta shes. Do ta shes pasi të lindë. Nuk kam ku ta mbaj (qan). S’kam bukë për vete. Rri gjithë ditën rrugëve duke lypur. Sot jam pa ngrënë, ju kërkova lekë të blej një byrek se po më vishen sytë.

-Ke kërkuar ndihmë për gjendjen në të cilën je, a je vizituar ndonjëherë?
(Ngre supet). Jo.

-Ku do ta lindësh fëmijën dhe ku i ke lindur dy të tjerët? 
Njërin e kam lindur në shtëpi dhe tjetrin në Tiranë. Po këtij, si do t’ia bëj? Nuk e di ku do ta lind. Kam frikë shumë.

-Ku i ke fëmijët e tjerë? 
Janë duke lypur edhe ata, të fitojnë ndonjë lek për të blerë diçka për të ngrënë, ashtu si unë.

Previous articleNjë shtetas i Shqipërisë kapet me 25 kg drogë
Next articleFansi i Drogbës rruan shpinën me emrin dhe numrin e tij