Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, nuk është shprehur aspak i kënaqur me vendimet e arbitrit në humbjen prej 3-4 ndaj Barcelonës.
Në derbin e madh, gjyqtari akordoi një penalti për Los Blancos dhe dy për Blaugranët, ndërkohë që e përjashtoi me karton të kuq Sergio Ramosin.
Duke folur me gazetarët pas ndeshjes, portugezi ia la fajin arbitrit për humbjen e skuadrës së tij.
“Luajtëm kundër 12 lojtarëve. Është gjithmonë e njëjta gjë. Ata nuk na lejojnë. Ndoshta e dëshironin Barcën që të kthehej në garën për titull”.
“Nuk dua që ta mbaj këtë brenda dhe nuk po kërkoj arsyetime, por arbitri nuk ishte në nivelin e kërkuar për një ndeshje të këtij lloji”.
“Nëse Barca do të humbte sot, ata do të ishin jashtë gare. Pas pesë vitesh këtu, e kam kuptuar si po shkojnë gjërat”.
“Asnjëherë nuk e kam parë Real Madridin duke u favorizuar nga gjyqtarët”.
“Mirëpo, përkundër të gjitha këtyre, jam i sigurt se ne do ta fitojmë kampionatin”, ka deklaruar Ronaldo. /Telegrafi/