Për rritjen e aftësisë konkurruese në sektorin agroushqimor, përmbushjen e standardeve të BE-së dhe forcimin e lidhjes me prodhimin primar, tashmë është hartuar edhe një masë mbështetëse për vitet e ardhshme. Në kuadër të saj, fermerët përfitues do të kenë mundësi që t’i modernizojnë objektet prodhuese me teknologji të re, të bëjnë diversifikimin e prodhimeve në industrinë përpunuese dhe t’i aplikojnë sistemet e sigurisë dhe cilësisë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj, thotë se në kuadër të kësaj mase, e cila do të zbatohet gjatë viteve 2014-2020, do të mbështetet përpunimi i qumështit, i mishit, i pemëve e perimeve dhe prodhimi i verës.
“Me investimet në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore, synojmë të rrisim aftësitë konkurruese në sektorin agroushqimor, t’i përmbushim standardet e BE-së, në këtë rast për mbrojtjen e mjedisit, sigurinë ushqimore, cilësinë e produkteve dhe mirëqenien e kafshëve dhe forcimin e lidhjeve me prodhimin primar”, thotë Behramaj.
Kriteret e përgjithshme të përzgjedhjes për të gjithë nënsektorët do të jenë sistemet për siguri të ushqimit, përvoja e ndërmarrjeve, investimet në mbrojtjen e mjedisit, prodhimi i energjisë së rinovueshme dhe krijimi i vendeve të reja të punës. Ndërsa, investimet e pranueshme në këtë masë, sipas Behramajt, do të kufizohen në ndërtimin dhe rindërtimin e objekteve përpunuese, blerjen e makinave dhe pajisjeve, si dhe në sistemet dhe programet kompjuterike. /RadioRINIA/