Suedia mbetet e përkushtuar në përkrahjen e Kosovës drejt rrugës së saj për në familjen evropiane dhe struktura transatlantike. Kështu ka deklaruar ambasadori jo-rezident i Suedisë për Kosovë, Mats Staffansson, sot gjatë një takimi me zëvendëskryeministen e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri.
Zëvendëskryeministrja Tahiri e njoftoi Ambasadorin Staffansson për përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për realizimin e prioriteteve strategjike si në reformat euro-atlantike, në fushën drejtësisë, ekonomisë dhe të sigurisë.
“Kosova dhe qytetarët e saj sot si asnjëherë më parë e meritojnë mbështetjen e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në procesin e integrimit në familjen evropiane si një shtet me vizion të qartë euroatlantik dhe konstatoi me ketë rast se nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim dhe Associm me BE-në dhe liberalizimi i vizave në ketë vit do të jenë dëshmia më e mirë e mbështetjes evropiane për Kosovën dhe qytetarët e saj”, ka deklaruar Tahiri.
Ndërkaq, Ambasadori Staffansson theksoi se Suedia mbetet e përkushtuar fuqimisht në përkrahjen e Kosovës drejt rrugës së saj për në familjen evropiane dhe struktura transatlantike dhe konst atoi se vitet e fundit janë shënuar përparime të mëdha dhe se natyrisht mbështetja nuk do të mungoj edhe gjatë këtij viti në kuadër të procesit euro-integrues.
Ai poashtu foli edhe për marrëveshjen e Brukselit ku theksoi se të gjitha këto të arritura janë kontribut për paqen, stabilitetin dhe plotësimin e kushteve për integrimet evropiane si për Kosovën po ashtu edhe për Serbinë, por theksoi vendosmërinë e diplomacisë evropiane se të gjitha ato të arritura në Bruksel duhet zbatuar sipas planeve pasiqë konsiderohen si kontribut i fuqishëm për integrimin e gjithë rajonit të Ballkanit në strukturat euroatlantike.