Home LAJME Tahiri: Tri herë kanë tentuar të më vrasin

Tahiri: Tri herë kanë tentuar të më vrasin

Pas kërcënimit që ka marrë përmes celularit nga një qytetar i Dragashit, zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, ka folur edhe për tentim atentatet ndaj saj, duke thënë se gjatë vitit 2000, kur ishte anëtare e LDK-së, ndaj saj janë bërë tri tentime për atentat.

“Shumë vite vazhdon ky kërcënim, gati që nga koha kur jam larguar nga LDK-ja”, është shprehur Tahiri, duke treguar se për këtë kërcënim kabineti i saj i ka njoftuar organet e rendit.

“Asnjëherë nuk kam pasur dëshirë dhe as tani që këto çështje të trajtohen në medie”, ka thënë Tahiri për gazetën Epoka e Re.

Edita Tahiri, e cila ka kontribuar për shtetndërtimin e Kosovës në shumë pozita udhëheqëse në institucionet e Kosovës, njëherë në postin e ministres, në mandatin e parë të qeverisë Thaçi, tash zëvendëskryeministre, njëherësh kryenegociatore e dialogut teknik në Bruksel, ka treguar se kur ka qenë pjesë e LDK-së ka pasur tri tentim-atentate.

“Kur kam qenë në LDK kam pasur tri tentim-atentate në vitin 2000. Kjo ka qenë arsyeja e largimit për studime në Harvard. E mos të flasim se gjatë okupimit kërcënimi ka qenë i vazhdueshëm”, ka treguar Tahiri.

Tahiri ka thënë se, pavarësisht kërcënimeve që ka pasur, ajo nuk do të ndalet për të shërbyer për shtetin e Kosovës.

“Këto gjëra nuk më kanë ndalur asnjëherë, sepse Atdheu është para meje”, ka thënë Tahiri.

Previous articlePagjumësia dhe shërimi i saj
Next articleVeliu: LDK, një çerek shekulli prijatare në kauzën e shtetndërtimit