Home LAJME Talbott: Kosova, Rusia dhe egoja e Putinit

Talbott: Kosova, Rusia dhe egoja e Putinit

Presidenti rus Vladimir Putin iu referua gjashtë herë rastit të Kosovës në një fjalim të kohëve të fundit, duke e cilësuar pavarësinë e Kosovës si pararendëse për aneksimin e Krimesë nga Rusia. Këta dy shembuj nuk kanë si të jenë më të ndryshme nga njëra-tjetra, shprehet Presidenti i Institutit Brookings Strobe Talbott në një artikull në gazetën Washington Post.

Talbott, ish-Zëvendës Sekretar i Shtetit gjatë administratës së Presidentit Clinton, kur NATO-ja ndërmori fushatën e saj ajrore kundër forcave serbe 15 vjet më parë, shkruan se Aleanca ndërhyri për të ndalur konfliktin në Kosovë në 1999, pasi diplomacia dështoi dhe Milosevici shpalosi një fushatë spastrimi etnik e vrasjesh të popullatës. Kjo situatë, argumenton Talbott, nuk përmban asgjë të përbashkët me Ukrainën. Pas ndaljes së konfliktit, u deshën nëntë vjet para se Kosova të shpallte pavarësinë dhe ky akt nuk çoi në aneksimin e saj nga Shqipëria.

E vetmja fije lidhjeje që gjen ish-zyrtari i lartë amerikan, është fobia që ka krijuar Putini dhe Rusia ndaj politikave të Perëndimit dhe misionit të NATO-s që Moska e konsideron si kërcënues ndaj sigurisë kombëtare ruse.

Strobe Talbott, kujton takimin e tij të parë me Vladimir Putinin, në një prej periudhave më të tensionuara në marrëdhëniet Rusi-Perëndim që pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Vetë Talbott ndodhej në Moskë në një ndër udhëtimet e shumta diplomatike të nivelit të lartë për të zbutur tensionet me Moskën, ndërkohë që Perëndimi kishte filluar fushatën kundër Milosevicit.

Gjatë takimit ai prezantohet me kreun e Këshillit të Sigurimit të Kremlinit, Vladimir Putin, një oficer i ri, ambicioz në rangjet e para të karrierës që do ta çonte në të ardhmen në krye të Kremlinit.

Vizita në fjalë, në qershor 1999, zhvillohej në një kohë kur rusët kishin kërcënuar se do të tërhiqeshin nga operacionet e përbashkëta me NATO-n dhe do të dislokonin trupat e tyre në Kosovë. Brenda pak orësh, njësi të vogla ushtarake ruse që ndodheshin në Bosnje për të mbikëqyrur zbatimin e armëpushimit, u futën në Kosovë. NATO-ja reagoi duke dërguar nga Maqedonia një forcë shumëkombëshe për në Kosovë. Operacioni rus u pezullua menjëherë, pasuar nga një deklaratë e Ministrisë së Jashtme ruse ku mohohej incidenti.

Situata, siç e shpjegon ish-zyrtari amerikan, ishte mjaft delikate dhe mund të ishte shndërruar në një incident të rrezikshëm me shkëmbim zjarri.

Putini ishte i padeshifrueshëm dhe tepër i rezervuar gjatë takimit, kujton Talbott. Është e vështirë të thuhet se çfarë roli kishte ai në këtë skenar që thuajse vuri përballë njëri-tjetrit trupat e NATO-s dhe forcat ruse në një betejë të armatosur. Ajo që mund të thuhet për Putinin është se ai nuk e fsheh kënaqësinë që ndjen sa herë që ka rastin ta tregojë forcën e tij përballë Perëndimit.

Previous articleNdërkombëtarët kushtëzojnë datën e zgjedhjeve
Next articleZgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 1998-ës