Përderisa Ramush Haradinaj e Nexhat Daci janë pajtuar të ripërtërijnë koalicionin e vitit 2004, ideja mund të mbetet vetëm dëshirë e parealizuar e këtyre dy liderëve politikë.
Për zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, posti i kryeministrit i takon LDK-së dhe në rast të fitores ky post nuk do të negociohet me asnjë subjekt politik.
Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, nuk ka dashur të merret me deklarimet e Dacit dhe të Haradinajt, por u ka kujtuar atyre se ka kaluar koha e vitit 2004 dhe se tani janë rrethana të tjera.
“Unë nuk e di se çka kanë folur ata, por ajo që mund të them është se Këshilli i Përgjithshëm i LDK e ka nominuar z. Mustafa për kryeministër dhe asnjë lloj kushti, me asnjë lloj koalicioni nuk do ta bisedojmë postin e kryeministrit. Ata çfarë flasin është muhabet tjetër se nuk mund t’ua ndalojmë”, u shpreh Rugova.