Një fëmijë 10-vjeçar është plagosur aksidentalisht nga një armë zjarri të premten në Podujevë.

Sipas Policisë së Kosovës, një ankues ka njoftuar policinë se nipi i tij i mitur kishte marrë një armë të tipit AK-47 dhe gjatë manipulimit me të, arma kishte shkrepur një fishek.

Predha kishte goditur vëllain e tij 10-vjeçar, i cili është dërguar për tretman mjekësor në QKUK në Prishtinë. Sipas informacioneve të policisë, i mituri është jashtë rrezikut për jetë.

Gjatë kontrollit në shtëpi, policia ka gjetur dhe konfiskuar si prova materiale një armë AK-47 dhe një karikator me 20 fishekë.

Për rastin është kontaktuar prokurori kujdestar i Departamentit për të Mitur, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet dhe i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt.

Kurse, rasti po trajtohet nga organet kompetente.

“Podujevë  21.08.2026 – 12:00. Ankusi mashkull kosovar, ka informuar se nipi i tij  i mitur ka marur armën AK-47 dhe gjatë manipulimit ka shkrepur një fishekë dhe predha ka goditur vëllaun e tij fëmijë 10 vjeçar. I lënduari është dërguar  për tretman mjekësor në QKUK-Prishtinë dhe është jashtë rrezikut për jetë. Gjatë kontrollit të shtëpisë në cilësi të provave materiale është gjetur dhe konfiskuar një armë AK-47 me një karikator me 20 copë fishekë. Në lidhje me rastin është kontaktuar prokurori kujdestar i departamentit për të mitur i cili ka urdhëruar që rasti të iniochet si më lartë, ndërsa i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raport./teve1.info/