Home Uncategorized Testi i Demokracisë dhe Shtetit

Testi i Demokracisë dhe Shtetit

prsidentja_kosovës_jahijagajPrishtinë – Të dielën e 1 dhjetorit, qytetarët e Kosovës do ta mbyllin një proces zgjedhor për t’i dhënë fund zgjedhjes së drejtuesve të 25 komunave në të cilat raundi i parë i 3 nëntorit nuk nxori qartë fituesin.

E para e shtetit të Kosovës, Atifete Jahjaga, pret që votuesit të dalin e të votojnë të zgjedhurit e tyre dhe të ngarkuarit për organizimin e zgjedhjeve ta bëjnë punën si duhet.

Presidentja Atifete Jahjaga ne intervisten te shtunën për  lajm, për të folur për zgjedhjet e nesërme, reformën zgjedhore që duhet t’i pasojë zgjedhjet si kusht i vënë nga Bashkimi Europian, dialogun me Serbinë, luftën kundër korrupsionit, dhe atë që u ngjall si debat pas një deklarate të saj, muaj më parë – bartjen e shamisë nga nxënëset në shkolla.

“Ne tanimë kemi kaluar raundin e parë të zgjedhjeve në një atmosferë demokratike dhe përgjithësisht të lirë. Besoj që edhe raundi i dytë do ta tregojë pjekurinë tonë politike dhe do ta dëshmojë se mund të organizojmë zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike, ku qytetarët votojnë pa frikë dhe në mënyrë të lirë”.

“Me procesin e zgjedhjeve, kalohet një test i demokracisë, i zhvillimit demokratik të shtetit tonë, por gjithsesi se kalohet edhe një test për avancimin e të gjitha proceseve ndërtuese për shtetin, por edhe në agjendën europiane të shtetit tonë”.

“Qytetarët duhet ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe ligjore që të jenë pjesë e përbashkët e ndërtimit të shtetit tonë”, thotë Presidentja Jahjaga.

Por, një muaj më parë, kur serbët në pjesën veriore të Kosovës u ftuan nga Presidentja e Kosovës që të dalin para kutive të votimit, për herë të parë nën organizimin e Prishtinës, një grup personash të maskuar sulmuan vendvotimet, shkatërruan materialin zgjedhor dhe kësisoj prishën procesin, i cili u desh të përsëritej dy javë më pas.

Në opinionin e Presidentes së Kosovës, ajo që ka ndodhur më 3 nëntor në ato tri qendra votimi nuk guxon të përsëritet më kurrë.

“Unë pres që të gjithë qytetarët, e të gjitha komuniteteve, veçanërisht në Veri të vendit, të votojnë pa frikë. Të gjitha mekanizmat e sigurisë dhe ata që janë të thirrur për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, do të garantojnë sërish zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike”.

“Ajo që ndodhi më 3 nëntor në pjesën Veriore të Mitrovicës nuk guxon më të përsëritet kurrë, sepse ne nuk mund të lejojmë që qytetarët e komunitetit serb që jetojnë në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës të frikësohen, të keqtrajtohen dhe të privohen nga e drejta e tyre për të votuar”.

Sipas Presidentes, procesi zgjedhor në pjesën veriore ndihmon në vendosjen e rendit dhe sundimit të ligjit në këtë pjesë të territorit dhe në integrimin e mëtutjeshëm të komunitetit serb në jetën institucionale dhe shoqërore të Kosovës.

“Integrimi nuk ka alternativë tjetër”, është e vendosur ajo, duke përmendur ato që i quan shembuj të mirë të integrimit të serbëve në komunat tjera të Kosovës, si Shtërpcë, Graçanicë e Kllokot. /RadioRINIA/

Previous articleIPKO: prej nesër do t’i pajis me 3G
Next articleIsh-ambasadori Shqipërisë në Serbi, “pro” heqjes së simboleve (Doc/Video)