Home LAJME Thaçi në Berlin: Të ndërpritet izolimi i padrejtë i kosovarëve

Thaçi në Berlin: Të ndërpritet izolimi i padrejtë i kosovarëve

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Berlin, me ftesë të homologut të tij, ministrit të jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

Në ditën e parë të vizitës, zëvendëskryeministri Thaçi u takua me pjesëtarët e Grupit Parlamentar për Evropën Juglindore, të kryesuar nga deputeti i partisë së unionit kristiandemokrat (CDU), Peter Weiss, dhe ku janë të përfaqësuar të gjitha partitë e Bundestagut.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme, Thaçi i ka falënderuar ata për kontributin e çmuar që Gjermania po i jep zhvillimit dhe konsolidimit të Kosovës dhe u ka bërë thirrje që të ndërpritet izolimi i padrejtë i qytetarëve kosovarë nga Bashkimi Evropian.

Ai para deputetëve ka theksuar se e ardhmja e Kosovës është në BE dhe në NATO dhe se për këtë është e përcaktuar shoqëria kosovare dhe e tërë klasa politike e vendit.

“Temat kryesore të diskutimit ndërmjet zëvendëskryeministrit Thaçi dhe autoriteteve gjermane do të jenë mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral për zhvillimin e Kosovës dhe bashkëpunimi rajonal e ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

Previous articleHaradinaj ka disa pyetje për “dy kryeministrat”
Next articleJahjaga: Gjykata Speciale do të bëhet, është obligim