Home LAJME Thaçi: Vendimet e mia të planifikuara, e paplanifikuar zhurma e opozitës

Thaçi: Vendimet e mia të planifikuara, e paplanifikuar zhurma e opozitës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për RTK-në, ka thënë se vendimet e tij, si: rritja e pagave, shndërrimi i FSK-së në FAK dhe vendimet e tjera, kanë qenë të planifikuara.

“Rritja e pagave ka qenë e planifikuar”, ka thënë Thaçi, duke potencuar se e paplanifikuar ka qenë zhurma e partive opozitare.

Sipas tij, kjo është rritja e dytë e pagave brenda një mandati. “Rritja e pagave është në të mirë të të gjithë qytetarëve”, tha Thaçi.

Ai ka thënë se partitë politike asnjëherë nuk kanë folur për këtë rritje, por vetëm kanë kritikuar.

Ndërsa për emërimin e Forcave të Armatosura Kosovës dhe krijimin e Ushtrisë, ka thënë se me 4 mars është marrë vendimi për krijimin e ushtrisë, duke treguar se ka marrë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s.

“Qëndrimi im ka qenë shumë i qartë, ngase ka pasur ide që ky vendim të shtyhet deri më 2018. Më 4 mars kemi marrë vendim për themelimin e FAK-ut, do t’i ketë 8 mijë pjesëtarë”, tha Thaçi.

Sipas tij, FAK-u ka marrë mbështetje të fuqishme nga SHBA-ja, NATO dhe vendet e Bashkimit Evropian. FAK-u është në shërbim të të gjithë qytetarëve.

“Është një vendim historik”, tha ai, duke bërë të ditur se këtë çështje e ka dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

Previous articleKrasniqi: Kush kujt po i flet për moralin?
Next articleIsa Mustafa: Mocionin e AAK-së do ta përkrahim nëse nuk mbahen zgjedhjet në qershor