Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka vizituar sot Organizatën e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku është pritur nga kryetari i OVL të UÇK-së, Muharrem Xhemajli me bashkëpunëtorë.
Pas takimit, kryeministri Thaçi u tha medieve se ka falënderuar kryetarin Xhemajli për punën e tij, Shoqatën e Veteranëve të Luftës për angazhimin e tyre maksimal dhe shumë profesional për nxjerrjen e Ligjit për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kemi punuar shumë ngushtë Zyra e Kryeministrit dhe Shoqata e veteranëve të luftës, z. Xhemajli dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij. Tanimë e kemi proceduar në Kuvend projektligjin për veteranët e luftës. Ka kaluar në leximin e parë. Ligji është harmonizuar plotësisht me Fondin Monetar Ndërkombëtar, janë të planifikuara edhe mjetet buxhetore, tha kryeministri. Prandaj, vazhdoi ai, edhe diskutimi ynë i sotëm ishte në vazhdën e rritjes së interesimit dhe vendosmërisë sonë që edhe ky ligj të kaloj sa më shpejtë që është e mundur, dhe qysh sot të futet në rendin e ditës për të enjten e ardhshme, që të kaloj ky ligj.
Ligji për Veteranët e Luftës kam besim që do t’i unifikoj spektrin politik. Besoj se edhe debatet e mëtutjeshme janë të panevojshme krejt, tani është koha që të nxirret ky ligj dhe të gjithë deputetët pa dallim të votojnë për ligjin për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ligji nuk është vetëm i Qeverisë. Kemi punuar shumë ngushtë bashkë me shoqatat e veteranëve të luftës. Substanca e ligjit është vullneti i veteranëve të luftës, prandaj edhe unë si veteran i luftës, edhe si kryeministër i Kosovës, i inkurajoj të gjithë që të vazhdojmë tutje dhe të procedojmë për votim. Hapësirë legale ka, vullnet ka, është e panevojshme dhe e padrejtë çdo shtyrje e mëtutjeshme.
Nga ana e tij, nga kryetari i OVL të UÇK-së, Muharrem Xhemajli, pas takimit me kryeministrin Thaçi ka theksuar:
“Ne sot biseduam për problemet e veteranëve në përgjithësi dhe në veçanti për ligjin për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës, dhe për mundësitë e shtyrjes përpara. Po ashtu edhe për neglizhencën që është duke u bërë të cilën ne e konsiderojmë të panevojshme dhe e paarsyeshme. Sepse kemi raste kur në Parlamentin e Kosovës, ka pasur ligje të cilat kanë kaluar brenda ditës do të thotë paradite e kanë bërë leximin e parë, ndërsa leximi i dytë është kryer pasdite. Kështu që çdo vonesë e mëtutjeshme për ligjin për veteranët e luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për ne është e papranueshme, duke pasur parasysh edhe gjendjen e rëndë sociale dhe ekonomike dhe problemet të cilat i kanë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
“Veteranët e luftës vlerësojnë se kanë qenë njerëzit ndoshta më meritorët për stabilitetin e shtetit tonë, vendit tonë, duke pritur 14 vite pas përfundimit të luftës për një ligj të domosdoshëm, për një ligj i cili me të vërtetë do të rregulloj mirëqenien e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne shpresojmë dhe besojmë që ky ligj sot do të kalojë, do të procedohet në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, që këtë të enjte të dalë në lexim të dytë dhe të jetë ligj përfundimtar për veteranët e luftës” – theksoi z.Xhemajli./koha/