Brukseli shumë shpejt pritet të marrë vendimin për Tribunalin që do të trajtojë akuzat që dalin nga raporti i Dick Martyt. Pothuajse tashmë është vendosur që Tribunali nuk do të jetë jashtë vendit, por në Kosovë.
Qendra e Operacioneve e Bashkimit Europian, pritet të vendos shumë shpejtë rreth Tribunalit, që do të merret me gjykimet e krimeve të pretenduara të luftës në Kosovë, që janë përshkruar në Raportin e Dick Martyt.
Brukseli, merr vesh Express, ditëve në vijim do të vendos nëse do të krijohet një Tribunal ndërkombëtar apo vendor për trajtimin e akuzave të senatorit zviceran.
Express ka mësuar se kohëve të fundit, pas ndryshimit të qasjes së Britanisë së Madhe edhe Franca konsideron se çfarëdo lloj Tribunali për krimet e luftës që do të mund të formohej, duhet të jetë brenda Kosovës dhe jo ndërkombëtar.
Burime të Gazetës Express thonë se tashmë është çështje e kryer që Tribunali do të jetë vendor, por ende është duke u diskutuar rreth modaliteteve për mbrojtjen e dëshmitarëve.