Türkiye ka nisur një korridor tranziti tregtar me Arabinë Saudite për të siguruar vazhdimësinë e dërgesave drejt vendeve të rajonit, në kushtet e ndërprerjeve në Ngushticën e Hormuzit, njoftoi të hënën ministri i Tregtisë, Ömer Bolat.
Duke folur në një ceremoni në Ankara, Bolati deklaroi se mallrat që nuk mund të kalojnë përmes kësaj rruge të rëndësishme detare do të ridrejtohen përmes kanaleve alternative logjistike.
“Me marrëveshjen e arritur me Arabinë Saudite kemi vënë në funksion tregtinë tranzit. Kështu, mallrat që nuk kalojnë dot përmes Ngushticës së Hormuzit do të vazhdojnë të mbërrijnë në vendet e rajonit, një pjesë përmes tubacioneve dhe një pjesë përmes transportit rrugor”, u shpreh ai.
Bolati bëri të ditur se, në kuadër të kësaj marrëveshjeje, tashmë po lëshohen viza tranziti, duke theksuar se kjo do të ndihmojë në ruajtjen e qarkullimit tregtar në rajonin e Gjirit.
Ai nënvizoi se bota po përballet me një periudhë pasigurie të thellë dhe se qeveria turke po ndërmerr masa për të mbrojtur interesat ekonomike në këto kushte.
Sipas tij, Türkiye synon të rrisë eksportet e mallrave dhe shërbimeve, duke mbajtur njëkohësisht importet në nivele të kontrolluara. Prodhuesit po mbështeten përmes skemave të ndryshme dhe stimujve për investime.
Duke iu referuar luftës që shpërtheu në fund të shkurtit pas sulmeve të ShBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, ai tha se disa zona energjetike janë mbyllur për qarkullim, duke shkaktuar ndërprerje serioze në furnizimin me produkte si petrokimikatet, kimikatet dhe plehrat.
Bolati shtoi se Türkiye ka bërë përparime të konsiderueshme në sektorin e logjistikës, i cili tashmë ka arritur vlerën prej 112 miliardë dollarësh.
Sa i përket bujqësisë, ai theksoi se vendi ka rezerva të mjaftueshme, veçanërisht në produktet ushqimore, dhe se pritet një prodhim rekord në shumicën e të mbjellë rave të këtij viti, nëse nuk ka rrezik nga ngricat.
Ai gjithashtu bëri të ditur se janë krijuar rezerva të mjaftueshme plehrash kimikate për të shmangur probleme në furnizimin bujqësor, ndërsa eksportet janë vënë nën regjim regjistrimi dhe tarifat doganore për importet që janë ulur në zero.
