Duke aneksuar Krimenë brenda Rusisë, Vladimir Putin ka humbur Ukrainën. Kështu ka deklaruar ish-kryeministrja ukrainase Yulia Tymoshenko, në paraqitjen e parë televizive që nga lirimi nga burgu në muajin shkurt.
“Putin është armiku numër një i Ukrainës, që ka rrëmbyer tokën tonë me forcën e armëve”, ka thënë heroina e Revolucionit Portokalli të vitit 2004.
Ajo u ka bërë thirrje ukrainasve që të bëhen gati të luftojnë në rast se Rusia hyn në Ukrainën kontinentale.
Ndërkohë, Moska zyrtare ka deklaruar se ka të drejtën që t’i përgjigjet në mënyrën e duhur sanksioneve shtesë të vendosura të premten ndaj Rusisë nga Bashkimi Evropian.
“Për fat të keq Këshilli i Evropës ka marrë një vendim që nuk përputhet me realitetin. Besojmë se është koha t’i rikthehemi terrenit të bashkëpunimit pragmatik për të përmbushur interesat e vendeve tona”, ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse, Aleksandr Lukashevich.
Ndërkohë, ushtarët ukrainas që kthehen nga Krimea, tashmë e aneksuar nga Rusia, do të priten si heronj të vërtetë dhe jo si dezertorë.
Kështu ka deklaruar Ministria Ukrainase e Mbrojtjes në një njoftim në faqen e saj të internetit, ku ka mohuar lajmet e shërbimeve sekrete ruse, sipas të cilave njësitë që do të lënë gadishullin do të shkrihen dhe prokuroria ukrainase do t’i hetojë të gjithë për tradhti.
Aktualisht ushtarët ukrainas po bëhen gati të lënë bazën e Belbekut dhe për këtë kanë djegur mëngjesin e së shtunës një pjesë të mirë të dokumenteve të bazës.
“Mezi presim të kthehemi në shtëpi”, ka thënë njëri prej tyre.