Home Uncategorized Ukë Rugova, Shkeli babanë para se të shkelte ligjin

Ukë Rugova, Shkeli babanë para se të shkelte ligjin

“Grupi i Velanisë” me Ukë Rugovën në të – një rast që tregon se më e rëndë është pesha e emrit të familjes sesa pesha e veprës për të cilën pretendohet se është kryer!

Shkruan: Shefik SURDULLI

Në Kosovë, ka shkelës më të mëdhenj të ligjit e kryes veprash edhe më të rënda, por Ukë Ibrahim Rugova nuk është dashur të gjendej në një situatë të tillë, as në një vepër më të vogël se kjo, pikërisht për shkak të emrit të familjes, përkatësisht të babait të tij, edhe pse në dimensionin historik, ish presidenti, nuk i përket drejtpërdrejt apo vetëm atij, por megjithatë, ky është i pari që do të duhej t’ia ruante nderin.

Kjo, pasi, përpara se ta shkelte ligjin, gjë që pretendohet të provohet nga gjykata – qoftë e pavërtetë – në raste të tilla, paraprakisht shkelet nderi e historia e familjes, që në rastin në fjalë, për një pjesë të madhe të qytetarëve të Kosovës, kjo familje ka një vlerë më të madhe se “3500 euro” që pretendohet të jenë përfituar për një vizë nga kjo familje, prej cilitdo qytetar të Kosovës, për të cilin, është menduar të ketë pasur vlerë më të madhe për këtë familje; Pozita e të cilit, është menduar të mbrohet nga kjo familje, jo të bëhet objekt trafikimi!

Nëse Ukë Ibrahim Rugova do të pendohet për veprën, për të cilën, nga prokuroria, po pretendohet ta ketë kryer, duhet të pendohet më parë për shkeljen e nderit të familjes; të emrit të ish Presidentit, Ibrahim Rugova – përtej kësaj, për shkeljen e besimit të qytetarëve deri në adhurim për të! Është kështu pasi për shqiptarët, për të tjerët nuk e di, institucioni i familjes dhe moralit, i ruajtjes së nderit të babait, megjithatë është më i vlefshëm se institucioni i ligjit!

Krejt në fund: Ligji mund ta provojë edhe të kundërtën e pretendimit të prokurorisë për fajësinë e tij, varësisht nga fuqia e besueshmërisë së provave të prokurorisë kundrejt kundërargumenteve të mbrojtjes, por qytetarët e Kosovës, pas këtij rasti, nuk e di sa do të besojnë më në “shenjtërinë” e në fetishizimin e “Frymës Rugoviane”, e të nxjerrin në majë të pushtetit fytyra boshe, në emër të “kësaj fryme”!

E Arben Gashi dhe zyrtarë të tjerë të LDK-së, nuk e di nëse do të “eksitohen” edhe në këtë rast, sikur në rastet e arrestimeve të anëtarëve të PDK-së dhe të deklarohen për vazhdimin e mandatit të misionit të EULEX-it, me motivimin (destruktiv) se Kosova nuk është e gatshme të merret me rastet e profilit të lartë, e me këtë të prisnin të përfitonin një copë pushteti. /RadioRINIA/

Previous articleKadriu – Hidromoravës: Respektojeni orarin, ankesat e qytetarëve shumë të mëdha
Next articleKadriu: Do të bëjmë reforma në sektorin e urbanizmit