Home Uncategorized Valentina Bunjaku: femra e parë kryesuese e asamblesë komunale në Gjilan

Valentina Bunjaku: femra e parë kryesuese e asamblesë komunale në Gjilan

zgjidhet-kryesusja-kk-gjilanGjilan – Vendimmarrësit komunale të Gjilanit kanë zgjedhur të martën kryesuesen e Kuvendit Komunal, kanë miratuar orarin e punës për vitin 2014, numrin e Komiteteve si dhe kanë miratuar vendimin për emërimin e komisionit statutar si dhe akteve të tjera normative.  

Kurse propozim-vendimi për miratimin e nismës së kryetarit të Komunës për ndryshimin dhe plotësimin e statutit të Komunës, u shty për një seancë tjetër, me kërkesën e opozitës (PDK).

Me 23 vota për dhe 4 fletëvotime të pavlefshme, kryesuese e Kuvendit Komunal u zgjodh Valentina Bunjaku Rexhepi (LDK). Në votimin për zgjedhjen e saj morën pjesë 27 anëtarë të Kuvendit Komunal nga të gjitha grupimet politike, me përjashtim të atyre të PDK-së (8 këshilltarë), të cilët paraprakisht u deklaruan se nuk do të marrin pjesë në këtë proces.

AAK u deklarua publikisht se do ta mbështes propozimin e LDK-së.

Valentina Bunjaku Rexhepi, femra e parë kryesuese e asamblesë komunale në Gjilan, mori urime nga të gjitha grupimet politike, përfshirë edhe PDK-në, e cila nuk mori pjesë në votim.

Ajo premtoi se do të punojë me të gjitha grupimet politike në Kuvend Komunal, për t`i realizuar interesat e qytetarëve të Gjilanit, në mënyrën më të mirë të mundshme.

Valentina Bunjaku Rexhepi zgjidhet vendimmarrëse komunale për herë të parë dhe njëkohësisht edhe kryesuese e Kuvendit Komunal.

Ndërkaq, Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, duke u ndërlidhur me kërkesën e opozitës (PDK) për heqjen nga rendi ditës i propozimit për ndryshimin e statutit të Komunës, meqë nuk kanë marrë material për këtë pikë, ka thënë se qëllimi ynë kryesor është që të funksionalizojmë sa më parë Kuvendin Komunal dhe trupat e tij.

Ai ka thënë se në statutin e Komunës, pos që duhet të ndërrohet numri i anëtarëve të Kuvendit Komunal, meqë më nuk janë 41 si më parë, por 35 sish, do të ketë edhe thjeshtëzime tjera, por që nuk e prekin funksionimin e asamblesë.

Ndërkohë, sekretaria e Kuvendit Komunal ka kërkuar nga asambleistët që të bëjnë deklarimin e pasurisë, ku data e fundit është 23 janar 2014.

Poashtu, është kërkuar nga sekretaria e Kuvendit që të gjithë ish-sambleistët t’i kthejnë laptopët që i kanë marrë në shërbim të punës së tyre për mandatin e kaluar. /RadioRINIA/                     

Previous articleAgani dhe Mustafa biseduan për bashkëpunimin në shëndetësi
Next articleHaziri: prioritet është që të përfundohet projekti i lumit Mirusha